Presidentja në detyrë e Venezuelës, Delcy Rodríguez, zhvilloi të enjten një ceremoni përkujtimore në nder të ushtarakëve të vrarë gjatë një operacioni ushtarak të Shteteve të Bashkuara, të ndodhur më 3 janar, operacion që çoi në kapjen e Presidentit Nicolas Maduro dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores.
Gjatë fjalës së saj, Rodríguez deklaroi se Venezuela do të kërkojë drejtësi përmes mjeteve diplomatike dhe jo hakmarrje, duke iu drejtuar drejtpërdrejt popullit amerikan me mesazhin se venezuelasit nuk e meritojnë agresionin nga një fuqi bërthamore.
Ceremonia u mbajt në Akademinë Ushtarake të Venezuelës, ku ishin të pranishëm përfaqësues të lartë të shtetit dhe autoritete të huaja, mes tyre edhe ministri i Jashtëm i Kubës, Bruno Rodríguez. Gjatë aktivitetit, familjarëve të të rënëve iu dorëzuan flamuj kombëtarë, ndërsa u shpallën promovime dhe dekorata pas vdekjes për ushtarakët e vrarë.
Sipas ministrit të Brendshëm të Venezuelës, Diosdado Cabello, të paktën 100 persona humbën jetën si pasojë e sulmeve amerikane. Ndërkohë, presidenti i Kubës, Miguel Díaz-Canel, bëri të ditur se mes viktimave janë edhe 32 shtetas kubanë, të cilët ishin pjesë e trupës së sigurisë së presidentit Maduro./mxh
