Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, deklaroi se çështja e Groenlandës kërkon një diskutim të gjerë dhe të thelluar, pasi presidenti amerikan Donald Trump ka përsëritur dëshirën e tij që Shtetet e Bashkuara të marrin kontrollin e territorit autonom.
Gjatë një vizite në Londër, në një prononcim për mediat polake, Nawrocki e cilësoi Groenlandën si një “zonë strategjike shumë të rëndësishme”, duke theksuar se ajo ndodhet në qendër të asaj që ai e quajti “kërcënim i madh” nga Rusia dhe rivalitet ekonomik nga Kina.
Donald Trump ka deklaruar se SHBA duhet të zotërojë Groenlandën, e cila është pjesë autonome e Mbretërisë së Danimarkës, për të parandaluar që Rusia apo Kina të fitojnë ndikim ose kontroll mbi territorin me rëndësi strategjike dhe burime të pasura natyrore.
Përpara deklaratave për mediat, presidenti polak u takua me kryeministrin britanik Keir Starmer, ku në fokus të bisedimeve ishin çështjet e sigurisë. Polonia dhe Mbretëria e Bashkuar janë aleate në NATO, ndërsa trupa britanike janë të dislokuara në Poloni në kuadër të misioneve të Aleancës.
Bashkëpunimi ushtarak mes dy vendeve përfshin edhe ndërtimin e fregatave të reja polake bazuar në dizajne britanike, si dhe përfshirjen e kompanisë britanike të mbrojtjes Babcock në ndërtimin e nëndetëseve të reja për Poloninë.
Gjatë qëndrimit në Londër, Nawrocki foli edhe për çështje të brendshme, duke deklaruar se po shqyrton të gjitha opsionet lidhur me buxhetin e këtij viti. Ai shprehu rezerva të shumta ndaj projektbuxhetit të paraqitur nga qeveria e kryeministrit Donald Tusk, rival i tij politik.
Presidenti polak ka afat deri në fund të javës për të firmosur ligjin e buxhetit ose për ta dërguar atë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese./mxh
