Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka riafirmuar të mërkurën mbështetjen e fortë të Bashkimit Europian për Groenlandën, duke theksuar se BE-ja respekton vullnetin dhe interesat e popullsisë vendase, si edhe rolin strategjik të këtij territori në sigurinë e Arktikut.
Gjatë një konference për shtyp në Bruksel, von der Leyen deklaroi se Groenlandezët mund të mbështeten tek Bashkimi Europian, ndërsa nënvizoi se siguria në Arktik është një çështje kyçe jo vetëm për NATO-n, por edhe për vetë BE-në.
Në të njëjtën dalje publike, presidentja e Komisionit Europian shpjegoi në detaje edhe strukturën e paketës së ndihmës prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën. Sipas saj, 30 miliardë euro do të përdoren për mbështetje buxhetore, ndërsa 60 miliardë euro do të shkojnë për ndihmë ushtarake.
Von der Leyen theksoi se ndihma ushtarake do t’i mundësojë Ukrainës të përballojë agresionin rus dhe, njëkohësisht, të integrohet më ngushtë në bazën industriale të mbrojtjes europiane. Pajisjet ushtarake do të blihen kryesisht nga vendet e Bashkimit Europian, Zonës Ekonomike Europiane dhe Shoqatës Europiane të Tregtisë së Lirë, me prioritet furnitorët europianë.
Sa i përket mbështetjes buxhetore, ajo do të kushtëzohet me zbatimin e reformave demokratike, forcimin e shtetit ligjor dhe luftën kundër korrupsionit. Sipas von der Leyen, këto reforma synojnë ta afrojnë Ukrainën me anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe të garantojnë stabilitet afatgjatë për vendin.
Bashkimi Europian, tha ajo, mbetet i përkushtuar për të mbështetur Ukrainën si në planin ushtarak, ashtu edhe në rrugën e saj drejt integrimit europian./mxh
