Aktori i njohur Brendan Fraser është zhytur në kulturën dhe gjuhën japoneze për rolin e tij në komedinë-dramë “Rental Family”, një film i përzgjedhur në listën e gjatë të çmimeve BAFTA.
I drejtuar dhe bashkëskenarizuar nga regjisorja Hikari, filmi tregon historinë e Phillip-it, një aktor amerikan që udhëton drejt Tokios për të xhiruar një reklamë pastash dhëmbësh, por përfundon duke qëndruar aty. Shtatë vite më vonë, Phillip përballet me mungesë pune dhe një jetë pa drejtim, derisa punësohet nga një agjenci që ofron shërbime “familjeje me qira”, ku aktorë profesionistë luajnë role familjarësh, miqsh apo shoqëruesish.
Fillimisht hezitues, personazhi i Fraser nis të krijojë lidhje të forta emocionale me klientët dhe përfshihet thellë në jetët e tyre.
Brendan Fraser, 57 vjeç, tregoi se pas përfundimit të sezonit të çmimeve që kulmoi me fitoren e çmimit Oscar për aktorin më të mirë në vitin 2023 për filmin “The Whale”, ai po zgjidhte me kujdes projektet e radhës. Sipas tij, vetëm kur hasi në titullin e pazakontë “Rental Family” u ndje vërtet i tërhequr.
Për t’u përgatitur për rolin, Fraser mori mësime gjuhe dhe udhëtoi në Japoni disa javë para xhirimeve për t’u njohur nga afër me kulturën vendase. Ai theksoi se ndihmë të madhe gjatë xhirimeve i dha edhe bashkëaktorja e re Shannon Gorman, e cila debuton në këtë film.
Regjisorja Hikari tha se filmi pasqyron përvojat e saj personale si e huaj që ka jetuar në Shtetet e Bashkuara, duke e kthyer këndvështrimin dhe treguar historinë e një amerikani që përpiqet të përshtatet në Azi, mes izolimit dhe lidhjeve njerëzore kuptimplota. Ajo e cilësoi si “hapje sysh” njohjen me botën e kompanive që ofrojnë shërbime personash zëvendësues.
Në film interpretojnë gjithashtu aktori japonez Takehiro Hira, në rolin e pronarit të agjencisë së “familjes me qira”, si dhe aktorja Mari Yamamoto, e njohur nga seriali “Pachinko”. Pjesë e kastit është edhe aktori veteran Akira Emoto, i cili luan rolin e një aktori të moshuar, familja e të cilit punëson Phillip-in për të interpretuar një gazetar.
“Rental Family” rrëfen një histori japoneze, por me një mesazh universal mbi vetëvlerësimin, pranimin dhe ndryshimin. Filmi është përzgjedhur në listën e gjatë për dy çmime BAFTA: Filmi më i Mirë jo në Gjuhën Angleze dhe Regjia më e Mirë, dhe pritet të shfaqet në kinematë e botës gjatë muajit janar./mxh
