Greqia ka hedhur një tjetër hap drejt modernizimit të forcave të saj të armatosura. Një fregatë e armatosur e tipit Belharra, e blerë nga Franca, në ujërat greke. Ajo është një nga katër anijet luftarake të reja që Athina ka porositur për të forcuar flotën detare.
Marrëveshja u nënshkrua në vitin 2021, kur Greqia pranoi të blejë tre fregata Belharra për rreth 3 miliardë euro, me qëllim zëvendësimin e anijeve të vjetra që kanë shërbyer për më shumë se 30 vjet në marinën greke. Në vitin 2025 u porosit edhe një fregatë e katërt.
Sipas autoriteteve greke, vendi planifikon të shpenzojë rreth 28 miliardë euro deri në vitin 2036 për modernizimin e ushtrisë, në përpjekje për të ruajtur balancën ushtarake me rivalin historik, Turqinë.
Aktualisht, Greqia shpenzon rreth 3 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen, gati dyfishin e mesatares së Bashkimit Evropian për vitin 2025. Rritja e shpenzimeve ushtarake po ndodh edhe në vende të tjera evropiane, për shkak të tensioneve rajonale dhe luftës së vazhdueshme të Rusisë në Ukrainë, si dhe presionit të Shteteve të Bashkuara ndaj aleatëve të NATO-s për të investuar më shumë në mbrojtje.
Fregata e re u shoqërua drejt bazës detare të Salaminës nga disa anije, përfshirë kryqëzorin e blinduar “Georgios Averof”, simbol historik i Greqisë në luftërat botërore, si dhe një triremë e rindërtuar, anije luftarake e përdorur në Greqinë e lashtë.
Në bord të fregatës hipën Kryeministri Kyriakos Mitsotakis, Presidenti Konstantinos Tassoulas dhe Ministri i Mbrojtjes, Nikos Dendias, duke e cilësuar mbërritjen e saj si një moment të rëndësishëm për sigurinë kombëtare të vendit./mxh
