Këngëtarja dhe producentja britanike PinkPantheress ka publikuar të enjten, më 15 janar, videoklipin e këngës së saj “Stateside”, në bashkëpunim me këngëtaren suedeze Zara Larsson.
Videoklipi hapet me një kalimtar që zbulon një manekin të PinkPantheress në vitrinën e një dyqani të stiluar sipas estetikës së albumit “Fancy That”. Papritur, manekini merr jetë dhe shpërthen në performancë, përpara se të zbulohet se Zara Larsson është shkaktarja e gjithë kaosit. Videoklipi është realizuar nga regjisorja Charlotte Rutherford, e njohur për bashkëpunimet e saj me emra të mëdhenj të muzikës pop si Charli XCX, Katy Perry dhe Little Mix.
Kënga “Stateside” u publikua fillimisht në prill të vitit 2025, ndërsa versioni remix me Zara Larsson doli në tetor 2025 si pjesë e albumit “Fancy Some More?”, një projekt me remikse të albumit të saj “Fancy That”. Në këtë album marrin pjesë edhe artistë të njohur ndërkombëtarë si Anitta, Kylie Minogue dhe grupi koreano-jugor i K-pop-it, SEVENTEEN.
PinkPantheress, emri i vërtetë i së cilës është Victoria Walker, njihet për hitet e saj “Boy’s a Liar Pt. 2” në bashkëpunim me reperen Ice Spice, si edhe këngët “Illegal” dhe “Nice to Meet You” me Central Cee.
Artistja është nominuar në çmimet Grammy 2026 për Albumin më të Mirë Dance/Electronic me “Fancy That” dhe për Regjistrimin më të Mirë Dance Pop me këngën “Illegal”.
Edhe Zara Larsson është pjesë e nominimeve të Grammy 2026, e nominuar për Regjistrimin më të Mirë Dance Pop me këngën e saj “Midnight Sun”./mxh
