Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi të martën se udhëheqja e Iranit ndodhet në “ditët dhe javët e fundit” përballë protestave të gjera popullore.
Protestat në Iran filluan si reagim ndaj vështirësive ekonomike të mëdha dhe janë shndërruar në thirrje për rrëzimin e regjimit klerikal në Republikën Islamike.
“Momentalisht jam i shqetësuar për lajmet mbi rritjen e dhunës nga policia, nga Gardat Revolucionare, ndaj popullsisë së vet. Përdor këtë rast për t’u bërë thirrje përsëri autoriteteve që të ndalojnë menjëherë këtë dhunë. Nëse një regjim mund të mbajë pushtetin vetëm me dhunë, atëherë ai praktikisht ka përfunduar. Supozoj se po shohim ditët dhe javët e fundit të këtij regjimi.”
Merz tha se Gjermania është në kontakt të ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe qeveritë e tjera evropiane mbi situatën në Iran dhe bëri thirrje për ndalimin e represionit vdekjeprurës ndaj protestuesve.
Deklarata e tij erdhi gjatë një vizite në Indi, ndërsa zhvillimet në Iran po tërheqin vëmendjen ndërkombëtare për të drejtën e qytetarëve për të protestuar pa u përballur me dhunë shtetërore./mxh
