Afrika e Jugut është zhytur në zi pas vdekjes së 13 nxënësve, të cilët humbën jetën kur minibusi me të cilin udhëtonin u përplas me një kamion. Ngjarja e rëndë ndodhi pranë qytetit industrial Vanderbijlpark, në jug të Johanesburgut, bëjnë të ditur autoritetet lokale.
Sipas njoftimeve zyrtare, tre fëmijë të tjerë mbetën të plagosur dhe po trajtohen në spital, ndërsa gjendja e tyre raportohet e qëndrueshme. Aksidenti ndodhi gjatë udhëtimit të nxënësve drejt shkollës.
Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, shprehu ngushëllime për familjet e viktimave, mësuesit dhe shokët e tyre, duke theksuar se mbrojtja e fëmijëve duhet të jetë prioritet kombëtar.
“Duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur për të mbrojtur nxënësit tanë.”
Autoritetet kujtojnë se Afrika e Jugut regjistroi 11 mijë e 418 viktima nga aksidentet rrugore gjatë vitit 2025, 6 për qind më pak se një vit më parë, por ende me një mesatare shqetësuese prej 31 viktimash në ditë. Ministrja e Transportit, Barbara Creecy, ka theksuar se shpejtësia e lartë dhe drejtimi i mjetit nën ndikimin e alkoolit mbeten shkaqet kryesore të këtyre aksidenteve.
Ndërkohë, ekipet e emergjencës vijojnë punën në vendngjarje, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të zbardhur rrethanat e plota të përplasjes tragjike./mxh
