Italia dhe Gjermania kanë nënshkruar një marrëveshje të re sigurie për të zgjeruar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes. Marrëveshja u firmos të premten në Romë, gjatë konsultimeve qeveritare mes dy vendeve.
Dy partnerët e Bashkimit Europian dhe NATO-s synojnë të forcojnë bashkëpunimin në sisteme artilerie dhe tanke, përfshirë obusin vetëlëvizës PzH 2000, si edhe në prodhimin e municioneve për tanke dhe artileri.
Deklarata e përbashkët përfshin gjithashtu bashkëpunimin në avionët luftarakë Eurofighter, projektin europian të dronëve “Eurodrone”, helikopterët shumëpërdorimësh të transportit ushtarak NH-90, sistemet e mbrojtjes ajrore dhe helikopterët luftarakë.
Në sektorin detar, Italia dhe Gjermania parashikojnë zgjerimin e bashkëpunimit për nëndetëset e klasit 212, përfshirë edhe tipin “Nëndetësja e së Ardhmes së Afërt”. Po ashtu, do të zhvillohen projekte të përbashkëta në teknologjinë e ndërhyrjeve elektronike dhe në fusha të tjera të avancuara ushtarake.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe kancelari gjerman Friedrich Merz ishin planifikuar të mbanin një konferencë për shtyp pas nënshkrimit të marrëveshjes, por ajo u shty për më vonë./mxh
