Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi ishte i pranishëm këtë të hënë në ceremoninë e nisjes së vitit të ri gjyqësor.
Në fjalën e tij, Sadushi u ndal te roli i drejtësisë, që sipas tij duhet të shërbejë sis standard dhe orientim, jo vetëm për sistemin gjyqësor, por edhe për shqoërinë.
Sipas Sadushit, nisja e vitit të ri gjyqësor shënon edhe një moment të përvitshëm reflektimi dhe përgjegjësie publike.
“Sot nuk po vijojmë një traditë, por po e krijojmë atë. Është kuptimplotë që ky hap ndërmerret pikërisht këtu, ku shqyrtohen çështje me rëndësi të veçantë dhe ku, përmes interpretimit dhe njësimit të praktikës, forcohet koherenca dhe rritet parashikueshmëria e ligjit. Prania juaj sot e nderon Gjykatën e Lartë dhe i jep peshën e duhur këtij momenti.
Në një kuptim më të gjerë, drejtësia nuk është vetëm vendimmarrje. Ajo është edhe standard dhe orientim për sistemin dhe shoqërinë. Prandaj, kjo sallë nuk i përket vetëm këtij institucioni. Në thelb ajo u përket qytetarëve, çdo individi që hyn këtu me shpresën se do të dëgjohet dhe do të trajtohet me dinjitet, barazi dhe paanësi.
Kjo ditë nuk shënon vetëm nisjen e vitit gjyqësor, por themelimin e një tradite institucionale, që i jep drejtësisë një moment të përvitshëm reflektimi dhe përgjegjësie publike.
Për këtë arsye, kjo ceremoni ka rëndësi të veçantë. Është një moment kur sistemi i drejtësisë shpreh me maturi dhe vetëdije publike rolin e tij, në shërbim të qytetarit dhe të shtetit të së drejtës, jo me retorikë, por me standard dhe përgjegjësi”,-tha ndër të tjera Sadushi./Kb
