Last Updated on 27/01/2026 by EL
Stresi nuk mbetet vetëm në nivel psikologjik, por reflektohet drejtpërdrejt në funksionimin e trupit. Sipas gastrohepatologut Dr. Skerdi Prifti, dy sistemet që e vuajnë më shumë stresin janë sistemi kardiovaskular dhe ai digjestiv. Në kushte emocionesh të forta, organizmi reagon menjëherë përmes mekanizmave biologjikë që shpesh keqinterpretohen si sëmundje.
Një nga reagimet më të dukshme është rritja e prodhimit të pështymës. “Kur një njeri nervozohet dhe bërtet, vihet re se prodhohet më shumë pështymë. Kjo nuk ndodh vetëm sepse bërtet, por sepse në stres gjëndrat e pështymës hyjnë në gjendje hipersekretore,” shpjegon mjeku. I njëjti mekanizëm, sipas tij, ndodh edhe në stomak.
Te personat që kanë prirje për hiperaciditet, stresi mund të shkaktojë një shpërthim të acidit klorhidrik, duke u shoqëruar me dhimbje stomaku dhe ndjesi djegieje. Këto episode shfaqen shpesh pas një tensioni emocional të fortë dhe janë shembull i qartë se si gjendja emocionale ndikon në funksionimin e aparatit tretës.
Megjithatë, jo të gjithë e përjetojnë stresin në të njëjtën mënyrë. Disa persona e reflektojnë përmes takikardisë dhe rritjes së tensionit arterial, ndërsa të tjerë përmes çrregullimeve të zorrëve, si diarreja. Kjo e fundit njihet shpesh si “diarreja e ushtarit”, një reagim instinktiv i organizmit në situata frike apo presioni ekstrem, ku rritet ndjeshëm lëvizshmëria e zorrëve.
Sipas mjekut, është e rëndësishme të bëhet dallimi mes çrregullimeve funksionale dhe sëmundjeve organike. “Stresi vështirë se krijon një sëmundje të re organike,” thekson ai, “por ç’rregullon funksionet e organizmit dhe mund të përkeqësojë sëmundjet që tashmë ekzistojnë.”
Ky shpjegim ndihmon për të kuptuar pse shumë simptoma gastrointestinale dhe kardiake shfaqen ose përkeqësohen në periudha stresi, pa qenë domosdoshmërisht shenjë e një patologjie të re. Mesazhi është i qartë: menaxhimi i stresit nuk është vetëm çështje e shëndetit mendor, por një faktor kyç për ruajtjen e ekuilibrit të gjithë organizmit./et
