Papa Leo shprehu të dielën shqetësimin e tij të thellë për rritjen e tensioneve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kubës, duke apeluar për një “dialog të sinqertë dhe efektiv” për të parandaluar dhunën dhe vuajtjet e mëtejshme për popullin kuban.
Këtë shqetësim Papa Leo e shprehu pas lutjes së tij të përjavshme të Angelus, ku gjithashtu theksoi rëndësinë e ndërmarrjes së veprimeve për të shmangur çdo përshkallëzim të situatës. “Të gjithë ata që janë përgjegjës duhet të nxisin një dialog të sinqertë dhe efektiv për të shmangur dhunën dhe vuajtjet e mëtejshme për popullin e dashur kuban,” tha ai.
Ky apel erdhi pas vendimit të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, që javën e kaluar shpalli masa tarifore ndaj importeve nga shtetet që furnizojnë Kubën me naftë, duke e rritur presionin mbi regjimin kuban. Ky veprim u pasua nga largimi i Presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, një aleat i rëndësishëm i Kubës, në fillim të muajit janar.
Trump argumentoi se këto tarifa janë të nevojshme për të mbrojtur “sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të SHBA-së nga veprimet dhe politikat e dëmshme të regjimit kuban.”
Në adresën e tij, Papa gjithashtu kujtoi viktimat e shembjes së minierës në Republikën Demokratike të Kongos, si dhe ata që po vuajnë nga fatkeqësitë natyrore në Portugali, jug të Italisë dhe Mozambik. Ai bëri thirrje gjithashtu për përdorimin e Lojërave Olimpike Dimërore të Milano-Kortina për të promovuar paqen, duke kërkuar që udhëheqësit botërorë të ndërmarrin hapa konkretë drejt de-eskalimit dhe dialogut.
Lojërat Olimpike do të mbahen nga 6 deri më 22 shkurt në Milano dhe stacionin malor të Cortina d’Ampezzo./mxh