Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka deklaruar se raundi i ri i negociatave bërthamore përbën një mundësi të mirë për një zgjidhje të drejtë dhe të balancuar të çështjes bërthamore të Teheranit, duke i bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të shmangin, sipas tij, kërkesat e tepruara.
Gjatë një fjalimi publik, Pezeshkian tha se bisedimet e reja, të cilat kanë nisur në Oman me ndërmjetësimin e palëve mike, synojnë arritjen e një marrëveshjeje të drejtë, logjike dhe të pranueshme për të dyja palët. Ai theksoi se Irani kërkon garantimin e të drejtave të tij në bazë të Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore, përfshirë të drejtën për pasurimin e uraniumit dhe heqjen e sanksioneve që i cilësoi si të padrejta.
Presidenti iranian u shpreh se Republika Islamike është e gatshme të ndërmarrë hapa konkretë për suksesin e këtij procesi, duke shpresuar që edhe pala tjetër të mbetet e përkushtuar ndaj këtij qëllimi, pa vendosur kushte shtesë që mund të pengojnë një rezultat pozitiv.
Deklaratat e Pezeshkian vijnë pasi diplomatë amerikanë dhe iranianë zhvilluan javën e kaluar bisedime indirekte në Oman, në një përpjekje për të ringjallur dialogun diplomatik. Këto zhvillime ndodhin në një klimë tensionesh të shtuara, mes një pranie të shtuar detare të SHBA-së në rajon dhe paralajmërimeve të Teheranit për një reagim të ashpër në rast sulmi.
Zyrtarët iranianë kanë përjashtuar në mënyrë të përsëritur mundësinë që arsenali raketor i vendit, një nga më të mëdhenjtë në Lindjen e Mesme, të përfshihet në negociata, duke këmbëngulur se prioritet mbetet njohja e së drejtës së Iranit për pasurimin e uraniumit./mxh
