Irani deklaron se bisedimet bërthamore me Shtetet e Bashkuara, të zhvilluara së fundmi në Oman, kanë shërbyer për të vlerësuar seriozitetin e Uashingtonit dhe kanë krijuar bazë të mjaftueshme për vazhdimin e procesit diplomatik.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, tha të martën se takimi në Muskat ishte një seancë gjysmëditore, e fokusuar kryesisht në vlerësimin e qëllimeve të palës tjetër dhe drejtimit të mundshëm të negociatave. Sipas tij, nga këto bisedime është konstatuar një mirëkuptim i ndërsjellë për vazhdimin e dialogut.
Baghaei theksoi se Irani e konsideron programin e tij bërthamor si paqësor dhe fajësoi Izraelin për, siç u shpreh ai, krijimin e një krize artificiale rreth çështjes bërthamore iraniane. Ai akuzoi gjithashtu Shtetet e Bashkuara se ndjekin një politikë të jashtme të ndikuar nga interesat izraelite në Lindjen e Mesme.
Bisedimet mes diplomatëve amerikanë dhe iranianë u zhvilluan përmes ndërmjetësimit të Omanit, në një kohë tensionesh të shtuara në rajon, pas dislokimit të forcave detare amerikane nga administrata e presidentit Donald Trump.
Zëdhënësi i diplomacisë iraniane sqaroi se vizita e këshilltarit të Liderit Suprem të Iranit, Ali Larijani, në Oman ishte planifikuar më herët dhe është pjesë e konsultimeve rajonale, në kuadër të politikës së fqinjësisë së mirë. Sipas tij, Larijani do të vijojë më pas vizitën në Katar.
Duke komentuar vizitën e pritshme të kryeministrit izraelit në Uashington, Baghaei theksoi se Shtetet e Bashkuara duhet të veprojnë të pavarura nga, sipas tij, presionet e huaja, veçanërisht ato izraelite, të cilat ai tha se shpërfillin interesat e rajonit./mxh
