Karim Adeyemi është rikthyer në qendër të vëmendjes së mediave gjermane, por jo për performancat e tij me Borussia Dortmund. Sulmuesi 24-vjeçar ka shkaktuar debate pas shfaqjes në videoklipin më të ri të bashkëshortes së tij, reperes Loredana.
Futbollisti ka ndarë në Instagram fragmente nga projekti muzikor, ku shfaqet në disa skena, përfshirë një varg që ka tërhequr vëmendjen e mediave dhe tifozëve: “Pumpgun, situata po bëhet e rëndë. Haaland ka të njëjtën vlerë tregu si Adeyemi”. Referenca ka nxitur reagime të shumta dhe diskutime rreth ekspozimit të tij jashtë fushës.
Sipas “Bild”, drejtuesit e Borussia Dortmund nuk ishin informuar më parë për pjesëmarrjen e lojtarit në videoklip. Edhe pse aktivitetet jashtë fushës konsiderohen personale, momenti i publikimit dhe vëmendja mediatike e krijuar nuk janë pritur mirë nga klubi verdhezi.
Ky incident vjen pas një serie episodesh ku Adeyemi ka qenë objekt kritike, përfshirë episodin e njohur si “mystery box” dhe një moment kur refuzoi të japë dorën trajnerit Niko Kovaç. Shfaqja në klip duket se ka rritur presionin mbi sulmuesin, në një periudhë kur forma dhe përqendrimi i tij janë nën vëzhgim të vazhdueshëm.
Pjesëmarrja e tij në projektin muzikor ka rikthyer diskutimin mbi kufijtë mes jetës private dhe detyrimeve profesionale, ndërsa mbetet të shihet nëse Borussia Dortmund do të ndërmarrë masa zyrtare ndaj situatës./mxh
