Aktorja e njohur e filmit dhe teatrit Anila Bisha ka paditur qeverinë shqiptare, duke e akuzuar se ka përdorur pa pëlqimin e saj fytyrën dhe zërin për të krijuar avatarin e një “ministreje me inteligjencë artificiale”, pjesë e kabinetit qeveritar.
Bëhet fjalë për figurën virtuale “Diella” emri që do të thotë “diell”, e prezantuar si ministre me inteligjencë artificiale për të mbikëqyrur dhënien e kontratave publike, si një hap në luftën kundër korrupsionit.
“Diella” u prezantua në shtator nga kryeministri Edi Rama, në nisje të mandatit të tij të katërt. Avatarja shfaqet në faqen zyrtare të qeverisë në rreshtin e parë të kabinetit, përkrah kryeministrit dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Në një prononcim për Reuters, Bisha u shpreh se fillimisht mendoi se bëhej fjalë për shaka. “Tani njerëzit më thërrasin Diella dhe më konsiderojnë si një tjetër ministre të qeverisë”, tha ajo, duke shtuar se situata i ka sjellë ngacmime në rrjete sociale dhe vëmendje të padëshiruar në rrugë.
Aktorja pranon se vitin e kaluar kishte dhënë pëlqimin për përdorimin e imazhit të saj në krijimin e një asistenteje virtuale për një faqe qeveritare që ndihmon qytetarët dhe bizneset me dokumentacionin shtetëror, por jo për t’u paraqitur si pjesë e kabinetit qeveritar.
Nga ana tjetër, zyra e shtypit e qeverisë i ka cilësuar pretendimet si të pabazuara, duke deklaruar se padia është “pa sens”, por se mirëpresin zgjidhjen e çështjes në gjykatë.
Çështja vjen në një moment të ndjeshëm për qeverinë, e cila përballet me akuza për ndërhyrje në tendera, pasi Prokuroria e Posaçme ka ngritur akuza ndaj zëvendëskryeministres Balluku, akuza që ajo i ka mohuar.
Gjykata pritet të vendosë të hënën nëse do të urdhërojë ndalimin e përdorimit të imazhit të aktores. Avokati i saj, Aranit Roshi, ka bërë të ditur se Bisha kërkon 1 milion euro dëmshpërblim, duke theksuar se sipas ligjit, në rastet e shkeljes së të dhënave personale, gjobat për institucionet shtetërore mund të arrijnë deri në 21 milionë euro./mxh
