Pas incidenteve të regjistruara në protestat e fundit të opozitës, anëtari i FRPD-së Orest Berberi ka dalë kundër përdorimit të miturve dhe molotovëve në tubimet e opozitës.
Berberi tha se të miturit nuk duhet të shkojnë në protestë për shkak të moshës, pasi sipas tij, kemi të bëjmë me keqpërdorimin e tyre.
“Në protestë nuk ndalohet njeri të shkojë dhe protesta nuk ka moshë. Padiskutim të miturit nuk kanë vend te hedhja e molotovëve. Është keqpërdorimi i tyre. Madje duhen pyetur nëse kanë apo jo leje nga prindërit për të shkuar në protestë. Sa i përket të ndaluarve, nuk e di nëse kanë qenë pjesë e grupit të zjarrit, apo kanë hedhur molotov, por di të them që Policia kur nis me shoqërimet, nuk është se pyet se kë ka përballë. Dhe duke ditur që nuk pyet se kë ka përballë, edhe të miturit kanë rënë në dorën e Policisë”, tha ai.
Ndërsa të quajturit “grupi i zjarrit” në protestat e PD-së, anëtari i FRPD-së ka theksuar në fjalën e tij se janë ata që kanë marrë përsipër për të bërë rrëmujë.
“Grupi i zjarrit janë të gjithë ata që mbajnë fishekzjarrët apo që hedhin molotovët. Janë disa persona që kanë marrë përsipër të bëjnë rrëmujën, për të hedhur molotovët, se nuk bien nga qielli. Dhe dikush mban përgjegjësi për këtë dhe prandaj protesta e PD-së ka disa organizatorë që do të dalin në gjykatë për të dhënë llogari nëse ata të mitur ishin apo nuk ishin pjesë e grupit të zjarrit”, deklaroi ai në Report Tv./et
