Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për të parandaluar përdorimin e papërshtatshëm dhe të pakontrolluar të inteligjencës artificiale, duke ngritur shqetësime edhe për ndikimin e lajmeve të rreme në opinionin publik.
Gjatë ceremonisë së hapjes së Festivalit të Rajoneve, Mattarella theksoi se është e domosdoshme të merren masa konkrete dhe efektive për të kontrolluar përdorimin e kësaj teknologjie.
Sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, ai nënvizoi rëndësinë e krijimit dhe zbatimit të një kuadri të përshtatshëm ligjor për Inteligjencën Artificiale.
Kreu i shtetit italian paralajmëroi se manipulimi i informacionit përmes internetit dhe përhapja e lajmeve të rreme mund të ndikojnë ndjeshëm në mënyrën se si qytetarët formojnë opinionet e tyre dhe marrin vendime.
Mattarella shprehu gjithashtu shqetësimin se zhvillimi i modeleve të Inteligjencës Artificiale përmes mësimit makinerik mund të sjellë pasoja që janë të vështira për t’u parashikuar dhe kontrolluar.
Ai kërkoi vendosjen e kufijve ndaj konkurrencës gjithnjë e më të fortë mes një numri të vogël aktorësh në këtë fushë, duke theksuar se pasojat e këtij zhvillimi nuk mund të parashikohen plotësisht nga shkenca.
Sipas presidentit italian, mungesa e ndërhyrjes dhe pranimi pasiv i zgjerimit të pakufizuar të kapaciteteve teknologjike mund të rrezikojnë vlerat themelore njerëzore dhe funksionimin e demokracisë./mxh