Një klip i krijuar me inteligjencë artificiale ku shfaqen Tom Cruise dhe Brad Pitt duke u përleshur ka shkaktuar shqetësim mes figurave të industrisë
Dan Milmo dhe Andrew Pulver
Një figurë e rëndësishme e Hollywood-it ka paralajmëruar se “me shumë gjasë ka mbaruar për ne”, pasi pa një klip të shpërndarë gjerësisht, të gjeneruar nga AI, ku shfaqen Tom Cruise dhe Brad Pitt duke u rrahur.
Rhett Reese, bashkëskenarist i Deadpool & Wolverine, Zombieland dhe Now You See Me: Now You Don’t, reagoi ndaj një videoje 15-sekondëshe ku Cruise dhe Pitt shkëmbejnë grushte mbi një urë të mbuluar me rrënoja. Klipi u postua nga regjisori irlandez Ruairí Robinson, autor i filmit fantastiko-shkencor horror The Last Days on Mars. Duke e ripostuar videon në rrjetet sociale, Reese shkroi: “E urrej ta them. Me shumë gjasë ka mbaruar për ne.”
Ai shtoi: “Shumë shpejt, një person i vetëm do të mund të ulet para një kompjuteri dhe të krijojë një film të padallueshëm nga ato që publikon sot Hollywood-i. E vërtetë, nëse ai person nuk është i zoti, do të dalë i dobët. Por nëse ai person ka talentin dhe shijen e Christopher Nolan (dhe dikush i tillë do të shfaqet shpejt), rezultati do të jetë i jashtëzakonshëm.”
Robinson tha se klipi ishte rezultat i një “prompti me 2 rreshta në Seedance 2”, duke iu referuar gjeneratorit të videove me AI Seedance 2.0, i lançuar të enjten nga ByteDance, bashkëpronare e TikTok.
Motion Picture Association (MPA), shoqata tregtare e Hollywood-it, akuzoi ByteDance për “përdorim të paautorizuar të veprave amerikane të mbrojtura nga e drejta e autorit në shkallë masive”.
Sistemet e AI, si chatbot-ët, gjeneratorët e imazheve dhe mjetet për krijimin e videove, trajnohen mbi të dhëna të marra nga interneti i hapur, përfshirë materiale të mbrojtura nga e drejta e autorit si romane, vepra arti dhe fragmente filmash. Kjo ka bërë që artistët dhe industritë krijuese të kërkojnë kompensim për përdorimin e materialeve të tyre dhe krijimin e kornizave licencuese për përdorim të ligjshëm. Mes proceseve gjyqësore lidhur me këto mosmarrëveshje, disa kompani krijuese si Disney po nënshkruajnë marrëveshje me kompani AI, përfshirë OpenAI, zhvilluesin e ChatGPT.
Duke i bërë thirrje ByteDance të “ndalojë aktivitetin shkelës”, kryetari dhe CEO i MPA-së, Charles Rivkin, tha: “Duke lançuar një shërbim që operon pa masa domethënëse mbrojtëse kundër shkeljeve, ByteDance po shpërfill ligjin e mirëpërcaktuar të së drejtës së autorit që mbron të drejtat e krijuesve dhe mbështet miliona vende pune amerikane.”
Beeban Kidron, anëtare e pavarur e Dhomës së Lordëve në Mbretërinë e Bashkuar dhe një zë i njohur kundër zbutjes së ligjeve të së drejtës së autorit, tha se kompanitë e AI duhet të arrijnë marrëveshje me industritë krijuese.
Kidron, e cila ka punuar edhe në Hollywood si regjisore, tha: “Kjo është thjesht e fundit në një seri të gjatë abuzimesh me të drejtën e autorit, por sinqerisht nga bisedat e mia me të dyja palët besoj se ekziston vullneti mes kompanive të AI dhe sektorit krijues për të arritur një marrëveshje. Më duket se sektori i AI duhet të vijë në tryezë me një ‘ofertë reale’ që kënaq industritë krijuese. Përndryshe do të kemi një dekadë procesesh gjyqësore dhe shkatërrimin e një industrie nga e cila ata vetë varen.”
Përgatiti për botim: L.Veizi
