Ministria e Jashtme ka dalë me një reagim zyrtar lidhur me kthimin në Shqipëri nga Siria, të Eva Dumanit.
Operacioni për riatdhesimin e vajzës e cila ishte prej vitesh në një kamp në Siri, sipas ministrisë, u realizua përmes bashkëpunimit midis disa institucioneve të shtetit shqiptar.
Në reagim thuhet se autoritetet turke kanë pasur kontribut të rëndësishëm në këtë rast sensitive.
Reagimi i plotë:
Në përgjigje të interesit të mediave, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, informon se falë koordinimit dhe bashkëveprimit midis disa institucioneve të shtetit shqiptar, përfshirë MEPJ përmes përfaqësisë diplomatike të vendit në Turqi, është realizuar me sukses operacioni për kthimin në Shqipëri të shtetases E.D, e cila gjendej prej disa vitesh në një kamp të Sirisë.
Operacioni i shtrirë në kohë u mundësua me mbështetjen e partnerëve tanë, në veçanti me kontributin e autoriteteve turke të cilat i falenderojmë për bashkëpunimin në këtë rast sensitiv.
MEPJ rikonfirmon gatishmërinë dhe vullnetin për t’ju përgjigjur në çdo rast, nevojave apo situatave që ndikojnë shtetasit shqiptarë kudo që ata ndodhen përtej kufijve./mxh
