Partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) po planifikon të mbajë kongresin e saj kombëtar të partisë në shtetin lindor të Turingisë. Ky kongres përkon me 100-vjetorin e një kongresi të partisë naziste në të njëjtin shtet dhe ka shkaktuar zemërim dhe reagime të ashpra nga i gjithë spektri politik kryesor.
Ish-kreu i grupit parlamentar të Social Demokratëve (SPD), Rolf Mützenich, akuzoi AfD-në për provokime të qëllimshme për të tërhequr vëmendjen.
Historiani Jörg Ganzenmüller, një studiues mbi totalitarizmin, foli për “një akt të qëllimshëm që ka ndikim në disa nivele”. Ai tha se nga njëra anë, kjo i dërgoi një sinjal skenës së ekstremit të djathtë, e cila është e njohur me historinë naziste dhe datat e saj të rëndësishme, ndërsa nga ana tjetër, synonte t’i jepte publikut përshtypjen se ishte një parti normale që nuk ishte në dijeni të rëndësisë historike të datës.
Një historian tjetër, Stephan Zänker, kryetari i Shoqatës së Republikës së Vajmarit, e quajti gjithashtu zgjedhjen e datës dhe vendndodhjes së kongresit të AfD-së “një paralele fatale”.
Një zëdhënës i degës së Turingisë të AfD-së i ka hedhur poshtë kritikat dhe ka thënë se nuk kishte asnjë lidhje midis partisë dhe kongresit të partisë naziste. Kongresi i partisë Nacional Socialiste (naziste) në kryeqytetin e atëhershëm të Turingisë, Vajmar, më 3-4 korrik 1926, ishte një moment historik në ngritjen e partisë dhe u zhvillua në të njëjtin vend ku Republika e Vajmarit ishte themeluar shtatë vjet më parë. AfD po planifikon mbajtjen e kongresit më 4-5 korrik në atë që tani është kryeqyteti i Turingisë, Erfurt. /Kb
