Këtë të mërkurë, në ministerialin e Korridorit VIII që u mbajt në Tiranë, ministrja e Ekonomisë dhe e Inovacionit Delina Ibrahimaj tha se ky projekt është një mundësi strategjike për kthimin e vendit tonë në një nyjë lidhëse për Europën.
“Ky projekt është një mundësi strategjike për riafirmuar rolin tonë, si nyjë lindje-perëndim por edhe si port i Adriatikut.
Pozicioni gjeografik na vendos në një pikë kyçe të lidhjes mes Adriatikut, Ballkanit dhe Detit të Zi dhe përmes zhvillimit të porteve dhe infrastrukturës rrugore, Shqipëria mund të shndërrohet pa frikë në një pikë kyce tranziti për rajonin dhe më gjerë.
Unë besoj fort se një nga potencialet më të mëdha të zhvillimit ekonomik të vendit është zhvillimi i logjistikës dhe vetëm nëpërmjet ngritjes së infrastrukturës, rrugore e portuale, ne mund të arrijmë të bëhemi një pikë logjistike dhe një pikë hyrëse për të gjithë Europën Juglindore drejt Europës Perëndimore”, tha ministrja Ibrahimaj gjatë fjalës së saj.
Sjellim ndërmend se në këtë ministerial të zhvilluar sot, ministrat e Punëve të Jashtme të pesë vendeve (Shqipërisë, Bullgarisë, Italisë, Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë) kanë dalë me një deklaratë të përbashkët, në të cilën theksuan rëndësinë strategjike të Korridorit VIII për bashkëpunimin rajonal dhe integrimin gradual të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian./kb
