Last Updated on 19/02/2026 by Anisa
Nga Mentor Kikia
Kësaj pyetjeje mund ti përgjigjet shumëkush menjëherë, tani: Ka 300! Sepse e ka lexuar e dëgjuar më shumë se 300 herë në media e konferenca shtypi të opozitës.
Sot dëgjova një raportim të gazetares Klodiana Lala, mbi fillimin e një hetimi pasuror, apo shtrirjen e hetimeve edhe mbi pasurinë, për ministren e pezulluar Belinda Balluku.
“Burime pranë SPAK bënë me dije se është kërkuar informacion pranë institucioneve të ndryshme, si Kadastër, ILDKPI apo banka të nivelit të dytë…..”-tha gazetarja.
Ndërsa lexova këtë fakt të ri nga hetimet, mu kujtua se ne e dinim me kohë se, “Belinda Balluku ka 300 apartamente”.
Askush, nga ata që e publikuan apo bënë analiza duke iu referuar kësaj shifre, nuk referoi ndonjë burim. Opozita citonte median dhe media citonte opozitën.
Pasuritë e patundeshme gjenden vetëm në regjistrat e Kadastres, me emrin e vet apo të fshehur pa emrave të tjerë. Dhe prokuroria i qenka drejtuar vetëm tani këtij institucioni(duke e marrë të mireqenë këtë lajm).
Dhe pas hetimit mund të dale se Balluku nuk ka 300 apartamente, por 1.300.
Por mund të dalë edhe se ajo ka 30, apo 3 apartamente. Nëse del kjo e dyta, pra nuk do të jenë 300, ç’do bejmë ne, do akuzojme Kadastrën se ka fshehur apartamentet e Ballukut, “sepse ne e dinim me kohë që ajo ka 300”?
Mos nxitoni të me akuzoni se po i qaj hallin zonjes Balluku, apo se po i “mbaj pishën” qeverisë!
Jo jo, këtu po i qaj hallin medias dhe gazetarisë, të cilës i kam kushtuar jetën prej vitit 1992. Të shkruash e flasësh për 300 apartamente si të jenë 300 domate e speca si ato të Divjakës, është “kurajoze” nga ana profesionale.
Cili eshte burimi i informacionit?
Kaq është shqetesimi im, derisa mësova sot se prokuroria nuk e kishte këtë informacion deri tani.
Sepse tani rezulton se për këte lajm nuk ka patur as “burime konfidenciale nga prokuroria”, pasi as prokuroria vetë nuk e ditka, derisa tani i ka kërkuar informacion Kadastrës.
Të tilla lajme mund ta dëmtojne 10 herë Ballukun, por dëmtojnë 100 herë seriozitetin dhe besueshmërinë e medias.
