Last Updated on 20/02/2026 by Anisa
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se ka urdhëruar agjencitë federale, përfshirë Pentagonin, të nisin procesin e identifikimit dhe publikimit të dokumenteve qeveritare që lidhen me objektet fluturuese të paidentifikuara (UFO) dhe format e mundshme të jetës jashtëtokësore.
Trump nuk sqaroi nëse dokumentet e klasifikuara do të bëhen publike, por theksoi se dosjet duhet të përfshijnë “çdo dhe gjithë informacionin e lidhur me këto çështje jashtëzakonisht komplekse, por edhe shumë interesante dhe të rëndësishme”.
“Nisur nga interesi i jashtëzakonshëm i treguar, do të udhëzoj Sekretarin e Luftës dhe departamentet e tjera përkatëse që të fillojnë procesin e identifikimit dhe publikimit të dosjeve qeveritare që lidhen me jetën aliene dhe jashtëtokësore, fenomenet ajrore të paidentifikuara (UAP) dhe objektet fluturuese të paidentifikuara (UFO)”, shkroi Trump të enjten vonë në platformën e tij Truth Social.
Vendimi duket se vjen pas rritjes së vëmendjes publike, të nxitur nga komentet e ish-presidentit Barack Obama, i cili në një podcast deklaroi se alienët “mund të jenë realë”, por sqaroi se nuk kishte parë personalisht prova dhe se nuk ekzistojnë objekte sekrete qeveritare ku mbahen të tillë.
Të dielën, Obama publikoi një sqarim në Instagram, duke thënë se universi është aq i madh sa probabiliteti për jetë diku tjetër është i lartë, por distancat mes sistemeve diellore e bëjnë shumë të ulët mundësinë që alienët të kenë vizituar Tokën. Ai shtoi se gjatë presidencës së tij nuk kishte parë asnjë provë për kontakt jashtëtokësor.
Më herët, Trump e kritikoi Obamën për këto komente, duke u shprehur para gazetarëve se ish-presidenti “nuk duhej t’i bënte” dhe duke lënë të kuptohet se deklaratat mund të prekin informacion të ndjeshëm. “Ai bëri një gabim të madh”, tha Trump.
Deri më sot, nuk ka prova shkencore për ekzistencën e jetës inteligjente jashtë Tokës. Një raport i Pentagonit i publikuar në vitin 2024 konkludoi se nuk ka dëshmi që UFO-t të jenë teknologji aliene, duke i atribuar shumicën e rasteve avionëve spiunë, satelitëve apo balonave meteorologjike.
Megjithatë, njoftimi i Trump u prit me mbështetje të shpejtë në rrjetet sociale dhe në Kongres. Deputetja republikane Anna Paulina Luna, e cila drejton një grup pune parlamentar për fenomenet ajrore të paidentifikuara, e falenderoi publikisht presidentin për vendimin.
Edhe senatori demokrat, John Fetterman, e mbështeti hapur nismën gjatë një interviste në Fox News, duke e quajtur vendimin “fantastik” dhe duke shtuar se “Amerika dhe bota e meritojnë këtë transparencë”.
Publikimi i dokumenteve pritet të rikthejë në qendër të vëmendjes globale një nga temat më misterioze dhe të debatuara të kohëve moderne./kb

