“E kujtoj ardhjen e tij te kombëtarja franceze, ishte ende adoleshent, por një fenomen për moshën e tij, fenomen në shpejtësi dhe efikasitet”. Kështu e përshkruan Guy Stephan, ndihmësi i trajnerit Didier Deschamps, debutimin e Kylian Mbappe me Francën më 25 mars 2017, kur sulmuesi ishte vetëm 18 vjeç.
Tashmë, në moshën 27-vjeçare, Mbappe përgatitet të arrijë një tjetër moment historik në karrierën e tij. Në ndeshjen ndaj Irakut të hënën, ai pritet të regjistrojë paraqitjen e 100-të me fanellën e Francës, një rrugëtim gjatë të cilit ka realizuar 58 gola, duke u shndërruar në golashënuesin më të mirë në historinë e përfaqësueses franceze.
Sulmuesi francez ka lënë pas edhe rekordin e 13 golave të shënuar në Kupat e Botës nga Just Fontaine dhe tashmë kërcënon shifrat e Lionel Messit dhe Miroslav Klose, të cilët numërojnë nga 16 gola secili në turnetë botërorë. Mbappe, kampion bote në vitin 2018 dhe nënkampion në vitin 2022, ka realizuar deri tani 14 gola në Kampionatet Botërore.
Debutimi i tij me Francën erdhi në fitoren 3-1 ndaj Luksemburgut më 25 mars 2017. Ai u aktivizua në minutën e 78-të në vend të Dimitri Payet dhe luajti 15 minuta si sulmues i majtë. Vetëm pesë ndeshje më vonë, më 31 gusht 2017, Mbappe shënoi golin e tij të parë me “Gjelat” në fitoren 4-0 ndaj Holandës në kualifikueset e Botërorit 2018.
Në Kupën e Botës “Rusi 2018”, ai luajti në të gjitha ndeshjet dhe shënoi katër gola, duke qenë një nga protagonistët e triumfit francez. Katër vite më vonë, në Katar 2022, Mbappe realizoi tetë gola, përfshirë tre në finalen dramatike ndaj Argjentinës, e cila u fitua nga amerikanolatinët pas goditjeve të penalltive.
Aktualisht, Mbappe renditet mes 10 futbollistëve me më shumë ndeshje në historinë e Francës. Përpara tij qëndrojnë emra legjendarë si Didier Deschamps (103), Patrick Vieira (107), Zinedine Zidane (108), Marcel Desailly (113), Thierry Henry (123), Antoine Griezmann dhe Olivier Giroud (137 secili), Lilian Thuram (142) dhe Hugo Lloris (145), nga i cili ka trashëguar edhe shiritin e kapitenit.
Deri më tani, Mbappe numëron 99 ndeshje, 7969 minuta në fushë dhe 84 paraqitje si titullar. Statistikat e tij përfshijnë 15 ndeshje në tre Botërorë, nëntë në dy Kampionate Evropiane, 29 në eliminatoret e Evropianëve dhe Botërorëve, 21 në Nations League, trofe që e fitoi me Francën në vitin 2021, si dhe 25 ndeshje miqësore.
Me vetëm 27 vjeç, Kylian Mbappe ka ende shumë rekorde për të thyer, ndërsa sfida ndaj Irakut do të shënojë një tjetër kapitull të rëndësishëm në karrierën e tij të jashtëzakonshme me kombëtaren franceze./mxh
