Kryeministri Edi Rama ka komentuar draft-raportin e PE-së për Shqipërinë duke theksuar se është një vlerësim për progresin që ka bërë vendi për në rrugën drejt BE-së.
Kryeministri e cilësoi si një tjetër sinjal të rëndësishëm që Shqipëria po ecën me ritëm, me qëndrueshmëri dhe strategji në rrugën e duhur.
“Draft-rezoluta e publikuar nga Parlamenti Europian për vendin tonë është një vlerësim i qartë për progresin e Shqipërisë.
Ai dokument vlerëson hapjen e të gjithë grup-kapitujve brenda 13 muajve, gjë që përbën një rekord në historinë e integrimeve europiane dhe në ndërkohë theksohet ritmi i shpejtë dhe domethënës në procesin e negociatave me nënvizimin rreth ambicies sonë që negociatat të mbyllen brenda vitit 2027, duke evidentuar progresin në forcimin e institucioneve demokratike, shtetin e së drejtës, reformën socio-ekonomike, politikat mjedisore, bashkëpunimin rajonal dhe përputhshmërinë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së.
Kjo draft-rezolutë është një tjetër sinjal shumë i rëndësishëm për publikun tonë: Shqipëria po ecën me ritëm, me qëndrueshmëri dhe me qartësi strategjike në drejtimin e duhur. Të njëjtën gjë konfirmuan edhe takimet që delegacioni pluralist i Parlamentit Europian zhvilloi në Tiranë gjatë kësaj jave”, tha Rama në podcastin “Flasim”./MXH
