Andrei Soldatov dhe Irina Borogan*
Ndërsa afrohet përvjetori i katërt i luftës së Rusisë në Ukrainë, ata që janë pranë Kremlinit lulëzojnë, ndërsa të tjerët përpiqen thjesht t’i shpëtojnë represionit më të ashpër.
Katër vjet pas nisjes së luftës së plotë në Ukrainë, elita ruse nuk ka dhënë asnjë shenjë rezistence ndaj situatës së vështirë ku e vendosi Vladimir Putin, duke vepruar pa u konsultuar me ta. Përkundrazi, ajo është përshtatur, duke u riformatuar në mënyra që sigurojnë mbijetesën e saj në atë që gjithnjë e më shumë duket si një gjendje konflikti të përhershëm.
Në atmosferën e represionit, zyrtarët e nivelit të lartë dhe intelektualët publikë rusë – të ngarkuar me drejtimin e vendit dhe me formësimin e mendimit publik – hezitojnë të shprehin drejtpërdrejt atë që mendojnë realisht. Narrativat që ofrojnë përmes kulturës janë, për këtë arsye, ndër shprehjet më të qarta të mënyrës si e shohin rolin e tyre në një vend në luftë.
Këtë vit, Moska priti dy ceremoni të mëdha çmimesh të mbështetura nga qeveria – një për libra dhe një për filma. Në të dy rastet, organizatorët zgjodhën sigurinë, duke përsëritur tema të njohura, shumë prej tyre të rrënjosura në mitologjinë kulturore dhe ushtarake të epokës sovjetike. Çmimet iu dhanë kryesisht personave nga i njëjti rreth – në shumicën e rasteve, familjeve të ikonave të njohura kulturore të periudhës sovjetike.
Në festivalin e librit, çmimi i madh iu dha Nikita Mikhalkov, një regjisor i njohur sovjetik dhe rus, i famshëm për shumë gjëra, por jo për shkrimin e librave. Familja Mikhalkov do ta fitonte me diferencë çdo garë për familjen që ka qëndruar më gjatë dhe më pranë Kremlinit. Babai i Nikitës, Sergei, shkroi himnin kombëtar sovjetik nën Joseph Stalin, e rishkroi gjatë periudhës së shkrirjes dhe e rishikoi sërish nën Putinin. Nikita, tashmë 80 vjeç, është një imperialist i hapur dhe aleat i ngushtë i presidentit rus.
Çmimi kryesor i filmit iu dha një interpretimi të një historie të Luftës së Dytë Botërore, bashkëdrejtuar nga djali i një aktori tjetër të famshëm sovjetik. Ky thriller patriotik me ritëm të shpejtë rrëfen për oficerë të guximshëm dhe inteligjentë të kundërzbulimit ushtarak të epokës së Stalinit, që luajnë lojën “macja me miun” me sabotatorë nazistë pas vijave të Ushtrisë së Kuqe, ndërsa përgatitet një ofensivë e madhe. Filmi bazohet në një libër të viteve 1970 dhe ka pasur tashmë dy adaptime kinematografike, më i fundit në vitin 2000.
Festivali i filmit u nis dhe u mbikëqyr nga Mikhalkovi. Ministrja ruse e kulturës, Olga Lyubimova, një protezhe e tij, mori pjesë në ceremoninë e çmimeve, e ulur pranë mentorit të saj. Lyubimova është pasardhëse krenare e një aktori tjetër legjendar sovjetik dhe familja e saj ka qenë e afërt me Mikhalkovët për dekada. Asnjë nga filmat apo librat e paraqitur në festivale nuk përmbante shenja kundërshtimi apo kritike alegorike ndaj realitetit rus. Ata ishin sa më të drejtpërdrejtë dhe besnikë ndaj vijës zyrtare.
Si një anëtare e spikatur dhe e lidhur mirë e elitës ruse, Lyubimova është ndoshta shembulli më i qartë i mënyrës si kjo elitë është përshtatur me realitetin e kohës së luftës. Ajo e nisi karrierën në fillim të viteve 2000 si gazetare televizive aspirante, por që herët u mbështet në lidhjet me Mikhalkovin dhe Kishën Ortodokse Ruse. Megjithatë, ajo shoqërohej lirshëm me liberalët e Moskës – në vitet 2000 ende dukej e mundur të ndërtoje karrierë pa menduar shumë për Kremlinin. Edhe ne vetë dikur ishim pjesë e këtij rrethi.
Shumë nga miqtë e saj ishin pasardhës të familjeve të njohura sovjetike dhe ndienin nostalgji për statusin e humbur pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Si gazetarë, shumë prej tyre raportuan nga vatrat e nxehta post-sovjetike në vitet 1990 – Osetia e Jugut, Abkhazia, por edhe Serbia – dhe u bindën për ekzistencën e një komploti të madh amerikan kundër perandorisë ruse dhe aleatëve të saj tradicionalë.
Shumica ishin ambiciozë dhe donin një rol në historinë ruse. U bindën se, në një vend si Rusia, kjo arrihej vetëm duke i shërbyer sundimtarit: je ose “brenda” ose “jashtë” – dhe nëse je jashtë, je humbës. Këtë logjikë e kishin përqafuar para vitit 2022. Tani, në kohën e represionit që prek shumë institucione shtetërore – përfshirë ministrinë e kulturës – kjo logjikë duket edhe më bindëse.
Vetë Lyubimova dha ndoshta shpjegimin më të drejtpërdrejtë se pse njerëz si ajo – as mendjengushtë, as të indoktrinuar – zgjodhën të rreshtohen me Kremlinin. Kur Moska u trondit nga protestat masive të viteve 2010–2011 kundër rikthimit të Putinit në pushtet, miqtë liberalë të saj dolën në rrugë. Ajo reagoi duke publikuar online atë që e quajti manifesti i Lyubimovës për mbijetesë në këtë Rusi brutale: “Shtrihem në shpinë, hap këmbët, marr frymë thellë dhe përpiqem madje ta shijoj.”
Formulim ekstrem, por që kap një mendësi më të gjerë brenda elitës ruse sot: një përzierje ambicieje dhe përshtatjeje ndaj një regjimi politik gjithnjë e më hakmarrës. Shumë zgjedhin kompromisin sepse nuk shohin rrugë tjetër për të mbetur pjesë e sistemit dhe e historisë. Karriera e Lyubimovës e konfirmon këtë: pesë vjet pas manifestit u bë këshilltare në ministrinë e kulturës, dhe pesë vjet më pas Putin e emëroi ministre. Që prej vitit 2022, ministria e saj është përfshirë aktivisht në promovimin e luftës në Ukrainë dhe rusifikimin e territoreve të pushtuara.
Megjithatë, thellë-thellë, Lyubimova dhe të ngjashmit e saj duan ende të pranohen në Perëndim. Ndalimi i udhëtimeve në Europë rezultoi një nga ndëshkimet më të dhimbshme për zyrtarët rusë, shumë prej të cilëve në fillim të luftës besonin se sanksionet do të ishin të përkohshme dhe se do të riktheheshin shpejt në Paris e Vjenë. Pas katër vitesh, iluzioni është zhdukur, por dëshira jo.
Kur Papa Françesku vdiq në prill 2025, vendimi i Putinit për të dërguar Lyubimovën në Romë për funeralin u pa si një dhuratë bujare dhe ngjalli zili mes shumë zyrtarëve. Asaj iu hoq përkohësisht ndalimi i udhëtimit në BE vetëm për këtë rast. Një video nga Bazilika e Shën Pjetrit, ku ministrja prek me nderim arkivolin e papës, u postua me krenari në rrjetet e saj sociale.
Një muaj më pas u njoftua se do të udhëtonte sërish në Romë për meshën inauguruese të Papa Leo XIV. Por këtë herë udhëtimi dështoi. Sipas Kremlinit, për shkak të “mospërputhjeve teknike në itinerarin e fluturimit”. Në realitet, avioni i saj nuk u lejua të hynte në hapësirën ajrore europiane.
Këtë vit, në vend të Europës, ajo zhvilloi vizita zyrtare në Brazil dhe Katar, në përputhje me kthesën gjeopolitike të Rusisë. Në rrjetet sociale theksoi se bashkëpunimi ndërmuzeor me Katarin ishte një nga fushat më premtuese. Një zëvendësim në kohë lufte për bashkëpunimin e dikurshëm të Moskës me Luvrin dhe muze të tjerë perëndimorë, që kishte mbijetuar edhe gjatë Luftës së Ftohtë, por që tani është ndërprerë.
Kufijtë e sjelljes së pranueshme po ngushtohen dhe elita që ajo përfaqëson po përshtatet në përputhje me to. Përballë asaj që duket si një luftë e përhershme, ata kanë zgjedhur përshtatjen, përthithjen e brendshme dhe, në fund, izolimin.
*Andrei Soldatov dhe Irina Borogan janë gazetarë rusë në mërgim në Londër.
Përgatiti për botim: L.Veizi
