Last Updated on 25/02/2026 by Anisa
Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, është shprehur skeptik për efektin dhe përfshirjen qytetare në valën e fundit të protestave të opozitës. I ftuar në emisionin Off the Record nga Andrea Danglli, ai deklaroi se protestat po zhvillohen kryesisht me militantë partie dhe nuk po arrijnë të krijojnë frymën e nevojshme për ndryshim politik.
Sipas Shehit, opozita ka nevojë për një strategji të re dhe një projekt politik që prodhon shpresë te qytetarët, përtej protestave të përjavshme.
“Nuk më duket sikur ka një strategji opozitare. Kjo është strategjia e PD-së që është shumica e opozitës, por me thënë të drejtën nuk është se po shoh gjë të madhe. Protestat organizohen me të njëjtët militantë dhe ata po lodhen, bëhen gjithnjë e më pak. Mënyra për ta bashkuar opozitën është një projeksion i ri politik që krijon shpresë”, u shpreh ai.
Shehi theksoi se opozita duhet të dalë përtej konfliktit të brendshëm dhe të prodhojë figura të reja politike, duke ndërtuar një alternativë konkrete qeverisëse. Sipas tij, aksioni opozitar nuk mund të kufizohet vetëm te protesta në rrugë, por duhet të zhvillohet në disa drejtime njëkohësisht: në parlament, në media, në raport me ndërkombëtarët dhe përmes mobilizimit qytetar.
Ai nënvizoi se pesha kryesore e opozitës duhet të jetë te programi dhe vizioni për të ardhmen, jo vetëm te kritika ndaj qeverisë. Duke folur për nivelin e përfshirjes së qytetarëve, Shehi u shpreh se nuk sheh një mobilizim të gjerë në kryeqytet.
“Nuk shikoj qytetarët e Tiranës të mbyllin dyqanet dhe të dalin në protestë. Dyqani mbyllet kur njerëzit e ndjejnë që protesta është më e rëndësishme se puna e ditës ose kur ka një tension të madh shoqëror. Nuk shikoj këtë atmosferë. Ndoshta njerëzit janë lodhur, ndoshta alternativa nuk i frymëzon”, tha ai.
Megjithatë, kreu i LZHK-së theksoi se protestat mbeten një element i rëndësishëm i aksionit opozitar, por nuk mund të jenë e vetmja shtyllë e tij.
“Populli e di që gjërat nuk shkojnë mirë, por pyetja është: çfarë do bëhet ndryshe kur të vini ju? Alternativa duhet të jetë më e fortë se kritika”, përfundoi Shehi./A.D
