Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka hedhur poshtë akuzat se Kievi është përgjegjës për ndërprerjen e furnizimit me naftë përmes linjës “Druzhba”.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Kiev me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Zelensky deklaroi se Ukraina disponon prova satelitore që tregojnë se Rusia ka shkatërruar disa herë rrjetin e tubacioneve.
Sipas tij, Moska ka sulmuar jo vetëm linjën Druzhba, por edhe tubacionin Brody.
“Ky nuk është shkatërrimi i parë dhe nuk jam i sigurt se do të jetë i fundit nga ana e Rusisë. Ne kemi pamje satelitore nga partnerët tanë. Rusia i ka shkatërruar disa herë këto tubacione. Ne nuk jemi arsyeja.”
Deklaratat e Zelenskyt vijnë mes tensioneve në rritje me Hungarinë dhe Sllovakinë, të cilat janë prekur nga ndalimi i tranzitit të naftës përmes Druzhba-s javët e fundit.
Presidenti ukrainas sugjeroi që kryeministri hungarez Viktor Orban të negociojë drejtpërdrejt me presidentin rus Vladimir Putin për një “armëpushim energjetik”, në vend që të bllokojë mbështetjen financiare për Ukrainën.
Në të njëjtën konferencë, Zelensky theksoi rëndësinë e garancive të sigurisë për Ukrainën dhe për Evropën, si dhe nevojën për një datë të qartë për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.
“Është jetike që kemi nisur punën për detajet e një garancie kyçe gjeopolitike sigurie për Ukrainën dhe për gjithë Evropën, si dhe për një datë të qartë për anëtarësimin tonë në BE. Viti 2027 është shumë i rëndësishëm për ne. Shpresoj që të jetë i realizueshëm, në mënyrë që Putini të mos mund ta bllokojë anëtarësimin tonë për dekada.”
Takimi u zhvillua në përvjetorin e katërt të nisjes së pushtimit të plotë rus ndaj Ukrainës./mxh
