Last Updated on 26/02/2026 by Anisa
Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së këtë të enjte, se do të presë raportin e Këshillit të Mandateve përpara se të marrë një vendim për kërkesën e SPAK për autorizimin e arrestimit të zv.kryeministres Belinda Balluku.
Gjatë një fjalimi të gjatë prej 97 minutash, Rama kritikoi gjyqtarët dhe prokurorët, por theksoi se mazhoranca qeverisëse do të vijojë të mbështesë reformën në drejtësi.
Kryeministri u shpreh se SPAK-u nuk do të preket, por se procedurat penale duhet të përmirësohen, duke shtuar se për këtë qëllim do të ketë konsultime edhe me ekspertë të huaj.
Rama u shpreh gjithashtu se vendimi për çështjen Balluku do të merret vetëm pas analizës së plotë të raportit të Këshillit të Mandateve.
“Nuk do merrem me procesin që ka nisur në Kuvend se do pres raportin e Këshillit të Mandateve. Por dua të ndaj me ju, diçka që e kam thënë pa praninë e publikut. Balluku ma ka dorëzuar dorëheqjen 3 herë, që kur iu ngrit akuza, jo për korrupsion. Ndërkohë që tenxheret bëjnë llogaritë duke marrë shumat për të ndërtuar veprat, akuza nuk është për korrupsion, por për pabarazi në tenderë, pastaj ma ka sjëllë me shkrim kur u bë pezullimi dhe pastaj edhe njëherë kur u ripezullua nga mosvendimi i GJK. Kam bindjen që në këtë fazë revolucionare, kur ndryshe nga vendet me drejtësi, në Shqipëri drejtësia sapo ka nisur ta shijojë pavarësinë, nuk mund të futemi në vallen e dorëheqjeve kur ngrihet një akuzë. Ne bëjmë punën tonë, drejtësia të vetën. E di praktikën europianë të dorëheqjes morale, por sot në Shqipëri kur përmes SPAK, drejtësia ka nisur të bëjë një shërbim të pamohueshëm për vendin dhe po bën dëm serioz kolateral për administratën, duke e përmbysur parimin e prezumimit të pafajësisë, mekanizmi i qeverisë së vendit nuk mund të ç’kurdiset kur prokuroria ngre një akuzë”, tha Rama.
