Hezbollahu nuk do të dorëzohet përballë sulmeve izraelite në Liban. Në fjalimin e tij të parë televiziv që nga nisja e përshkallëzimit të fundit, udhëheqësi i Hezbollahut, Naim Qassem, i cilësoi sulmet e Izraelit si një “agresion të planifikuar” dhe kërkoi që Izraeli të ndalojë operacionet ushtarake dhe të tërhiqet nga jugu i Libanit.
“Ne nuk do të dorëzohemi pavarësisht sakrificave”, deklaroi Qassem, duke shtuar se përgjigjja e Hezbollahut “nuk është e lidhur me asnjë betejë tjetër”.
Përplasjet u përshkallëzuan të hënën, kur Hezbollahu lëshoi dronë dhe raketa drejt Izraelit, duke shkaktuar kundërpërgjigje nga ushtria izraelite. Sipas raportimeve, sulmet izraelite kanë shkaktuar dhjetëra viktima në Liban.
Hezbollahu tha se sulmet u ndërmorën si hakmarrje për vrasjen e udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei, në një sulm të përbashkët amerikano-izraelit.
Ndërkohë, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Effie Defrin, deklaroi se forcat izraelite kanë goditur mbi 250 objektiva të Hezbollahut në të gjithë territorin e Libanit gjatë 48 orëve të fundit.
Izraeli ka ndërhyrë disa herë ushtarakisht në Liban që nga viti 1978 dhe mbajti të pushtuar një brez territori në jug të vendit deri në vitin 2000, kur u tërhoq pas viteve të luftës guerile me Hezbollahun./mxh
