NATO nuk po shqyrton aktivizimin e nenit 5 të mbrojtjes kolektive, edhe pse një raketë balistike iraniane u rrëzua nga mbrojtja ajrore e aleancës teksa i afrohej hapësirës ajrore të Turqisë. Në një intervistë ekskluzive për Reuters, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se incidenti nuk përbën arsye të menjëhershme për të aktivizuar klauzolën e mbrojtjes së përbashkët.
“Nuk po flet askush për nenin 5,” tha Rutte, duke theksuar se ngjarja tregoi vigjilencën dhe forcën e aleancës përballë kërcënimeve.
Autoritetet turke njoftuan se sistemet e mbrojtjes ajrore të NATO-s shkatërruan raketën iraniane përpara se ajo të hynte në hapësirën ajrore të Turqisë. Ky është rasti i parë që një vend anëtar i aleancës përfshihet drejtpërdrejt në përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme, duke rritur shqetësimet për një zgjerim të mundshëm të përplasjes.
Ndërkohë, Rutte mirëpriti edhe njoftimin e presidentit francez Emmanuel Macron për zgjerimin e forcës bërthamore të Francës dhe mundësinë që avionët francezë të kryejnë misione parandalimi nga territore të vendeve partnere evropiane.
Megjithatë, ai theksoi se ombrella bërthamore e Shteteve të Bashkuara mbetet garancia kryesore për sigurinë e Evropës.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s shtoi gjithashtu se aleatët do të vazhdojnë mbështetjen për Ukrainën, pavarësisht zhvillimeve të fundit në Iran dhe në Lindjen e Mesme./mxh
