Azerbajxhani paralajmëron veprime diplomatike pas sulmit me dronë iranian në Nakhchivan. Të enjten, katër dronë iranianë kaluan kufirin dhe plagosën katër persona në enklavën e Nakhchivanit, duke rritur shqetësimet për përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme.
Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, tha në një mbledhje të Këshillit të Sigurisë se forcat e armatosura, Ministria e Mbrojtjes, Shërbimi Shtetëror i Kufirit dhe të gjitha forcat speciale janë vendosur në mobilizim të nivelit një dhe duhet të jenë të gatshme për çdo operacion. Ai e përshkroi sulmin si “të shëmtuar, të pabesë dhe të turpshëm”.
Zëvendësministri iranian i Jashtëm, Kazem Gharibabadi, mohoi se Teherani kishte synuar Nakhchivanin, duke thënë se “nuk sulmojmë vendet fqinjë”.
Autoritetet azerbajxhanase njoftuan se po hetojnë llojet e dronëve të përdorur dhe thanë se një dron ra mbi terminalin e Aeroportit Ndërkombëtar të Nakhchivanit, rreth 10 km nga kufiri me Iranin, ndërsa një tjetër ra pranë një shkolle në një fshat të afërt. Një dron u rrëzua nga ushtria azerbajxhanase dhe një tjetër goditi infrastrukturën civile.
Katër të plagosurit u dërguan në spital dhe gjenden në gjendje stabile, sipas Ministrisë së Shëndetësisë. Azerbajxhani, një prodhues i madh i naftës dhe gazit, eksporton kryesisht energji drejt Turqisë dhe Evropës përmes tubacionit Baku-Tbilisi-Ceyhan, dhe çdo dëmtim i infrastrukturës mund të rrisë më tej çmimet globale të energjisë.
Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit i dorëzoi një notë proteste ambasadorit iranian dhe kërkoi që Teherani të japë shpjegime të menjëhershme dhe të marrë masa për të parandaluar incidente të ngjashme në të ardhmen. Tensionet mes Baku dhe Teheranit janë të larta për shkak të lidhjeve të Azerbajxhanit me Turqinë dhe Izraelin./mxh
