Last Updated on 06/03/2026 by Anisa
Nga Gjergj Erebara
Po dëgjoja një gjeneral që bënte thirrje për gjueti shtrigash, për “ndalim” të atyre që ai i cilësoi agjentë të Iranit që bëjnë propagandë në Shqipëri. Me mentalitetin prej gjenerali komunist të kthyer në antikomunist, gjeneralit duket se i mungojnë konceptet themelore të shtetit të së drejtës. Sepse, duke qenë se jemi demokraci liberale dhe jo diktaturë si Irani apo Rusia, ne ia kemi hequr të drejtën vetes të arrestojmë njerëz për çfarë thonë. Për rrjedhojë, një shqiptar mund të bëjë propagandën e çfarëdo fuqie të huaj që të dojë pa i hyrë asnjë gjemb në këmbë. Sepse liria e fjalës mbulon edhe të drejtën për të bërë propagandën e Iranit. Liria e fjalës mundet të kufizohet vetëm në rast lufte. Gjendja e luftës është situatë ligjore dhe jo hamendësim. Shqipëria nuk është në luftë me Iranin dhe Irani nuk është në luftë me Shqipërinë.
Liria e fjalës është para së gjithash ajo që ti nuk dëshiron të dëgjosh. Liria e fjalës nuk është dobësi. Regjimet diktatoriale si ai i mullahëve, ai i Putinit apo Kina arrestojnë njerëzit për çfarë thonë. Në vendet demokratike, jo.
Ka vetëm disa gjëra që një shqiptar nuk ka të drejtë ligjore ta bëjë:
1. Të bëjë thirrje për sulme terroriste!
2. Të mohojë gjenocidin, ta relativizojë ose ta mbështesë atë. (Me gjenocid kuptohet një ngjarje që me vendim gjykate është shpallur e tillë).
3. Nxitja e urrejtjes ndaj minorancave./A.D
