Last Updated on 06/03/2026 by Anisa
Nga Afrim Krasniqi
Shteti dhe sjellja shtetërore janë nocione të rëndësishme, kanë të bëjnë me kulturën, identitetin, formimin dhe nivelin e elitave dhe institucioneve. Ndaj shtetet krijojnë ligje dhe tradita, ceremonial dhe akte shtetërore. Ndaj ka procedura, rregullore, kode etike dhe integriteti.
Dje Kuvendi votoi për shkarkim dhe emërim ministrash, përfshirë zv/kryeministrin. 13 dekrete. Imagjinoni, – shkarkohet një zv/kryeministër dhe emërohet një tjetër, si dhe votohet për ministrin e jashtëm, të brendshëm, të drejtësisë, të mbrojtjes, katër ministrat kryesorë në një kabinet. Dhe çfarë ofroi parlamenti në këtë akt të rëndësishëm shtetëror/politik/protokollar/kulturor?
Mungoi kryeministri që i ka propozuar. Në cilin vend demokratik ndodh që votohet për zv/kryeministrin dhe kryeministri refuzon të jetë prezent dhe natyrisht edhe ta votojë? Ai i ka propozuar të gjithë, por propozuesi nuk tregoi respekt institucional as për dekretet, as për të emëruarit dhe as për parlamentin e kulturën shtetërore. Mungoi edhe zv/kryeministri. Si mund të votojë një parlament dekret për një ministër që refuzon me arrogancë të jetë aty?
Pastaj koncepti i qeverisjes! Si mund të emërohen dhe të votohen ministra, të cilët ndërkohë nuk prezantohen zyrtarisht në publik, me CV, me deklaratë politike mbështete, me sqarim për publikun dhe me deklaratë nga vetë kandidatët për ministra për pranimin e detyrës, angazhimet dhe premtimet e pritshme? Një procedurë shumë larg seriozitetit, etikës dhe integritetit institucional.
Pastaj opozita dhe mazhoranca në parlament! E para, pa ide dhe aftësi për të kuptuar kur “mjaft është mjaft” me skena pa sens, protagonizëm folklorik, retorikë boshe dhe humbje shansi për të debatuar për (mungesën) e cilësisë së qeverisjes dhe mazhoranca, e cila kokëulur pranon arrogancën e qeverisë, voton gjithçka i ofrohet dhe pa sens, etikë dhe kulturë politike etiketon e fyesen një deputete opozitare.
Ky është parlamentarizmi që e çon Shqipërinë në BE? Kjo është e vetmja rrugë? Ky është drejtimi i duhur? Këta janë reformatorët dhe ushtruesit e sovranitetit tonë?!
Për vetëm pak orë parlament dolën në pah të gjitha mangësitë, defektet dhe problematikat e institucioneve tona vendimmarrëse dhe përfaqësuese, konceptit tonë të deformuar mbi shtetin e pushtetin, deficiti i madh e elitës së sotme politike ndaj normave demokratike, etike dhe kushtetuese, fiktiviteti e formaliteti i dukshëm në ushtrimin e pushtetit legjislativ dhe arsyeja/motivi pse Shqipëria vijon të jetë e fundit në listë, si në kohën kur ishim “në kërkim të kohës së humbur”.
Ne e dimë se kemi 1000 probleme që kërkojnë zgjidhje, investime, politika afatgjatë, strategji, etj, shpesh edhe mjete që qeveritë/shteti mund të mos i ketë të plota në dispozicion, por duke mos qenë utopikë dhe duke kuptuar limitet dhe kufizimet në formim e kulturë të elitave tona politike dhe institucionale, duhet të pretendojmë së paku prej tyre më shumë respekt formal dhe etik për fjalën, për ligjin, për Kushtetutën, për normat, për institucionet, për qytetarët, për shtetin dhe për vendin. Dhe edhe këtë po e pamundësojnë!!/A.D
