Kryetari i Partisë demokratike Sali Berisha ka dalë në një konferencë për mediat këtë të premte, ku ka komentuar betimin e ministrave të rinj.
“Sot në presidencë u zhvillua ceremonia më qesharake, më komike, më banale e 35 viteve të fundit. Riformatimi i qeverisë me klonimin, të klonuar nga Lubi Balluku shënon krimin permanent, në vazhdim. Shënon përpjekjen për t’u trashëguar nëpërmjet krimit dhe vjedhjes së shqiptarëve. Të gjithë të emëruarit pa përjashtim janë të lidhur me 1 mijë fije me korrupsionin më të lartë qeveritar, kanë firmat e tyre e mëdha korruptive të vendit, në fushën e infrastrukturës, në fushën e energjisë dhe në fusha të tjera.”, tha Berisha.
Ai kritikoi dhe presidentin Bajram Begaj, që firmosi dekretet për emërimin e ministrave të rinj: “Sot, më shumë se kurrë, Bajrami i Presidencës u bë Haram i Presidencës me firmat që vendosi, me mungesën totale të guximit për t’i hedhur poshtë propozimet, ai u bë pjesë e një krimi permanent, të vazhdueshëm. Ndaj dhe ky akt e bën të domosdoshëm largimin e menjëhershëm të Edi Ramës nga pushteti, dorëheqjen e tij. Dhe të heqë dorë nga çdo lloj manovre për të zgjatur ditët e tij në pushtetin e krimit. Asgjë nuk e shpëton atë.”
Më tej ai shtoi: “Koha e diktatorëve po perëndon në nivel global, shqiptarët do t’i japin përgjigjen e merituar. Me asgjë Edi Rama nuk mundet të shpëtojë krimet e rënda që ka kryer, grushteve të shtetit që tentoi të realizojë, mmburojës ligjore që kërkon ti vendosë vetes për të fdalë jashtë përgjegjësisë para ligjit, përpjekjes së tij për të shpallur vjedhje legjitime për qeveritarët. Të gjitha këto janë ftesë për shqiptarët. Protesta e tyre, krtyengritja e tyre paqësore është shpresa e fundit e Shqipërisë dhe shqiptarëve nga Edi Rama”./kb
