Last Updated on 06/03/2026 by EL
Zv/kryeministrja Albana Koçiu i dorëzoi sot, 6 mars, stafetën ministrit të ri të Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari. Ajo tha se ka qenë nder i jashtëzakonshëm drejtimi i ministrisë dhe shprehu besimin se e ka kryer këtë sfidë me përkushtim.
“Kjo stafetë që ndaj sot me Ministrinë e Punëve të Brendshme, zoti Lamallari, është më shumë një kthim i Besfortit në shtëpi sepse krahas titullit që mban është mik shumë i mirë i imi. Jam shumë e gëzuar që e shkëmbej këtë stafetë me Besfortin që ka ardhur sërish në shtëpi. Ky ishte nder i jashtëzakonshëm, nuk e kisha menduar që do drejtoja ndonjë Ministrinë e Punëve të Brendshme. Ka qenë privilegj të ndanim së bashku një rrugëtim 6 mujor. Një sfidë që besoj e kam kryer me përkushtim dhe me shumë dhënie nga vetja do thoja për faktin se Ministria e Punëve të Brendshme ka një sërë çështjesh që duan vëmendje”, tha Koçiu.Ndërkohë Lamallari, i cili lë Ministrinë e Drejtësisë për Ministrinë e Punëve të Brendshme, e konsideroi këtë lëvizje një rikthim në shtëpi. Ai ka punuar për mbi tetë vite si zv/ministër. Lamallari e konsideroi këtë detyrë nderin e jetës.
“E nderuar zv/kryeministre nuk ka fjalë për ta përshkruar privilegjin që unë ndjej në këtë ditë sot që rikthehem në shtëpi. Shoh fytyra familjare me të cilat kam ndarë jo thjesht tetë vite e gjysmë punë të përbashkët, por kemi jetuar në intensitetin e sfidave që janë paraqitur gjatë asaj kohe dhe përveçse është nder i jetës është njëkohësisht përgjegjësi e përbashkët”, tha Lamallari./ET
