Aktorët e njohur Ryan Gosling dhe Eva Mendes kanë bërë paraqitjen e tyre të parë publike së bashku pas më shumë se 10 vitesh, duke surprizuar fansat gjatë një episodi të emisionit The Tonight Show Starring Jimmy Fallon, të drejtuar nga Jimmy Fallon.
Gjatë episodit të transmetuar ditën e djeshme, Gosling ishte i ftuar për të promovuar filmin e tij të ri, Project Hail Mary, por momenti më i veçantë i mbrëmjes ishte surpriza që ai kishte përgatitur për Mendes me rastin e ditëlindjes së saj të 52-të.
Aktori 45-vjeçar i kërkoi publikut në studio që të këndonte “Happy Birthday” për Mendes, e cila ndodhej në prapaskenë. Një anëtar i stafit e solli atë në skenë pa e paralajmëruar, ndërsa Gosling bëri shaka duke thënë se “mund të përfundojë në lumin Hudson nesër” për shkak të surprizës.
Kur Mendes doli në skenë mes duartrokitjeve të publikut, Gosling i mori dorën dhe të dy u bashkuan në skenë për festimin. Aktorja falënderoi mësuesit dhe nxënësit që ndodheshin në publik, ndërsa Fallon i kujtoi se ishte pikërisht ditëlindja e saj.
Momenti u bë edhe më i veçantë kur banda frymore e shkollës së mesme North Bergen nga New Jersey interpretoi “Happy Birthday”, ndërsa disa prej tyre mbanin një flamur ku shkruhej: “Happy Birthday, Eva!”. Në fund, Mendes falënderoi Gosling me një puthje në faqe, ndërsa konfeti mbushën skenën./mxh
