Një senator nigerian ka thënë për BBC-në se një “numër i madh” civilësh u vranë nga persona të armatosur, që sulmuan fshatin e tyre në Borno të mërkurën, megjithëse nuk kishte një shifër të saktë të viktimave.
Senatori Mohammed Ali Ndume, ligjvënës nga Nigeri, u shpreh se informacioni i tij mbështetet tek kryetari i qarkut lokal dhe banorët e zonës. “Numri i të vrarëve është jashtëzakonisht i madh, por nuk e dimë saktësisht sesa, sepse unë mbështetem në informacionin nga kryetari i qarkut dhe banorët atje”, tha ai në lidhje me sulmin në fshatin e largët të Ngoshe. Fshati Ngoshe është një komunitet kryesisht mysliman, dhe sulmi raportohet se ka ndodhur në mbrëmje, ndërsa shumë njerëz ishin me Ramazan.
BBC ka kontaktuar ushtrinë nigeriane për koment. Mediat lokale raportojnë se militantët e dyshuar islamikë rrëmbyen më shumë se 100 gra dhe fëmijë gjatë sulmit. Senatori Ndume i tha BBC se militantët e dyshuar kishin marrë nën kontroll fshatin.
Ai vuri në dukje se që nga periudha e lavdisë së grupit islamist Boko Haram mbi një dekadë më parë, kur kontrollonte shumë pjesë të Bornos, përfshirë Ngoshe-n, zona nuk kishte parë një sulm kaq “shkatërrues”. Senatori sugjeroi gjithashtu se agresorët mund të kishin ikur me armët e vjedhura nga baza ushtarake, të cilat mund t’i “forcojnë për të sulmuar lokacione ose objektiva të tjera”, duke thënë se kështu është vepruar dhe në sulme të mëhershme të ngjashme.
Umaru Yakubu Kirawa, gazetar lokal në Borno, tha për BBC se banorët kishin konfirmuar se shumë njerëz u vranë dhe qindra u rrëmbyen. Ai shtoi se banorët po kërkonin ndihmën e policisë dhe ushtrisë. “Banorët ishin me agjërim dhe janë sulmuar brutalisht. Disa janë vrarë e disa u morën peng”, deklaroi ai.
Fshati është shumë i largët dhe banorët kishin qenë më parë në një tjetër vend, për shkak të pasigurisë në Borno. Për shumë vite, rajoni Borno ka qenë epiqendra e kryengritjes islamiste në Nigeri, me sulme të përsëritura nga Boko Haram dhe luftëtarë nga Shteti Islamik. Boko Haram fitoi famë globale në 2014 pas rrëmbimit të mbi 200 vajzave nga Chibok në të njëjtin shtet.
Zëdhënësi i policisë në Borno, Nahum Daso Kenneth, i tha BBC-së të premten se sulmi kishte ndodhur të mërkurën në mbrëmje, por se nuk mund të konfirmonte ende numrin e të prekurve. “Mund të konfirmoj se ka ndodhur një incident i keq, dhe përpjekjet e forcave të sigurisë arritën të neutralizojnë militantët”, tha ai, duke shtuar se një operacion kërkimi dhe shpëtimi ishte në zhvillim./mxh
