Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ka deklaruar përmes një video-mesazhi se lufta kundër Iranit do të vazhdojë e pandërprerë dhe pa kompromis.
Netanyahu u shpreh se Izraeli ka “një plan të organizuar me shumë surpriza” për fazën tjetër të luftës me Iranin, me qëllim destabilizimin e regjimit dhe mundësinë e një ndryshimi. Kryeministri izraelit kishte një thirrje edhe për anëtarët e Gardës Revolucionare.
“Ju jeni gjithashtu në shënjestër. Kushdo që lëshon armën nuk do të pësojë asgjë. Kushdo që nuk e lëshon, gjaku i tij do të jetë mbi kokën e tij”, tha ai.
Duke i drejtuar një mesazh edhe popullit iranian, ai deklaroi se momenti i së vërtetës po afron. Ndër të tjera, Netanyahu tha se Izraeli nuk po përpiqet ta ndajë Iranin, por po përpiqet ta çlirojë.
Më tej kryeministri izraelit ndau detaje nga një bisedë që kishte pasur me presidentin e SHBA-së Donald Trump, gjatë takimit të tyre në dhjetor.
“Bibi, ne duhet ta ndalojmë Iranin me çdo kusht nga pajisja me një armë bërthamore”, ka thënë Trump sipas Netanyahut.
Në të njëjtën kohë, ai falënderoi Trumpin për “udhëheqjen historike” të tij në paktin SHBA-Izrael që sipas tij është më i fortë se kurrë. Kryeministri izraelit deklaron gjithashtu se Izraeli qëndron në krah të vendeve të tjera që janë sulmuar nga Irani dhe pretendoi se shumë shtete po i drejtohen Izraelit duke kërkuar bashkëpunim.
Më pas ai sulmoi OKB-në për heshtjen e saj ndërsa iranianët masakroheshin, dhe gjithashtu sulmoi udhëheqësit perëndimorë për dobësinë dhe shkujdesjen e tyre, duke i akuzuar ata se po braktisin popullin iranian.
“Kur Khamenei masakronte iranianët, ku ishte OKB-ja? Ku ishin shumë shtete perëndimore?” Shumë vende tani po shohin saktësisht se te kush mund të mbështeten”, tha Netanyahu./mxh
