Last Updated on 09/03/2026 by Anisa
Ish-ministri i shkarkuar ka reaguar publikisht duke dalë në mbrojtje të kryeministrit Edi Rama dhe qasjes së qeverisë ndaj reformës në drejtësi, duke theksuar se rrugëtimi i Shqipërisë drejt integrimit europian kërkon maturi dhe respekt për institucionet.
Në reagimin e tij, ai u shpreh se zhurma politike dhe debatet televizive nuk mund të zëvendësojnë procesin ligjor në sallën e gjyqit, duke theksuar rëndësinë e prezumimit të pafajësisë si një parim themelor i shtetit të së drejtës.
Sipas tij, vendime të tilla si mosdhënia e lejes për arrestimin e një deputeti në detyrë, kur nuk ka rrethana të mjaftueshme, nuk përbëjnë pengesë për drejtësinë, por janë pjesë e garancive kushtetuese që mbrojnë ndarjen e pushteteve dhe funksionimin e demokracisë.
Ai theksoi se procesi i reformës në drejtësi është një nga shtyllat kryesore të rrugëtimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian dhe se debati politik nuk duhet të cenojë parimet bazë të shtetit ligjor.
Reagimi i plotë i Pirro Vengut
Rrugëtimi drejt Shqipërisë 2030 është, mbi të gjitha, një provë e pjekurisë sonë demokratike.
Reforma në drejtësi, e ndërtuar dhe mbrojtur pa kompromis nga Edi Rama dhe Partia Socialiste, është një nga shtyllat e këtij rrugëtimi, ndërkohë që një nga treguesit më të qartë të pjekurisë është se zhurma e tribunave dhe e ekraneve nuk mund të zëvendësojë sallën e gjyqit.
Prezumimi i pafajësisë nuk është një formalitet juridik, por vija e kuqe që ndan shtetin e së drejtës nga arbitrariteti.
Ndaj dhe mosdhënia e lejes për arrestimin e një deputeti në detyrë, kur rrethanat nuk e justifikojnë, nuk është presion ndaj drejtësisë dhe as pengesë për të. Përkundrazi, është një garanci kushtetuese që mbron sovranitetin e Kuvendit dhe ndarjen e pushteteve, duke ruajtur ekuilibrin mbi të cilin funksionon demokracia.
*Demokracia nuk matet me si dhe sa akuzojmë. Matet nga sa dhe si dimë të presim gjykimin. *
