Last Updated on 09/03/2026 by EL
Ka ndërruar jetë në moshën 77-vjeçare ish-deputeti Koçi Tahiri, një figurë e njohur e jetës publike dhe shoqërore në zonën e Gorës dhe Bashkinë Maliq. Tahiri vuante prej kohësh nga kanceri.
I lindur në vitin 1949, Koçi Tahiri u bë pjesë e Kuvendit të Shqipërisë në periudhën 2018–2021, pasi mori mandatin e deputetit në një moment të pazakontë të jetës politike shqiptare, kur deputetët e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim lanë mandatet. Gjatë aktivitetit të tij publik, Tahiri është vlerësuar për kontributin në demokraci dhe jetën shoqërore. Ai është cilësuar si “Pishtar i Demokracisë” nga ish-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani.
Koçi Tahiri ka mbajtur gjithashtu detyrën e kryetarit të Shoqatës “Besëlidhja Gorare”, duke kontribuar në ruajtjen e traditave dhe forcimin e lidhjeve të komunitetit gorar. Për kontributin dhe angazhimin e tij në jetën publike dhe komunitare, Tahiri është vlerësuar edhe me titullin “Krenaria e Bashkisë Maliq”./ET
