Last Updated on 09/03/2026 by Monika
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pasi NATO njoftoi se ka rrëzuar një tjetër raketë balistike iraniane në drejtim të Turqisë. Rama shkruan se Shqipëria dënon ashpër sulmin e dytë tillë dhe shprehet se është një veprim shqetësues.
Ndër të tjera shton se përpjekjet e regjimit iranian për të përhapur tension përmes sulmeve të vazhdueshme ndaj fqinjëve të tij janë jashtëzakonisht të rrezikshme.
Kreu i qeverisë thekson se Shqipëria qëndron fort me Turqinë dhe me të gjithë Aleatët në mbrojtje të sigurisë dhe unitetit të NATO-s.
Reagimi i plotë:
Shqipëria dënon ashpër sulmin me raketa balistike të regjimit iranian kundër Turqisë. Fakti që ky është sulmi i dytë i tillë në ditët e fundit është thellësisht shqetësues dhe thekson edhe më tej natyrën agresive dhe destabilizuese të këtyre veprimeve.
Turqia është një vend mik dhe një partner strategjik i Shqipërisë dhe një Aleat i çmuar i NATO-s. Përpjekjet e regjimit iranian për të përhapur tension dhe paqëndrueshmëri përmes sulmeve të vazhdueshme ndaj fqinjëve të tij janë jashtëzakonisht të rrezikshme. Veprime të tilla rrezikojnë ta përshkallëzojnë më tej situatën dhe përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare.
Shqipëria vlerëson reagimin e shpejtë të NATO-s në mbrojtje të territorit, hapësirës ajrore dhe qytetarëve të Aleancës. Shqipëria qëndron fort krah për krah me Turqinë dhe me të gjithë Aleatët në mbrojtje të sigurisë dhe unitetit të Aleancës sonë./mxh
