Bashkimi Europian ka prezantuar një mjet të ri të bazuar në inteligjencën artificiale për të përmirësuar kontrollet e sigurisë ushqimore dhe për të zbuluar më shpejt rreziqet në zinxhirin ushqimor.
Mjeti quhet TraceMap dhe është zhvilluar për të ndihmuar autoritetet të gjurmojnë më mirë origjinën e produkteve ushqimore dhe lidhjet mes operatorëve të ndryshëm në treg. Sistemi përdor inteligjencë artificiale për të analizuar të dhëna të mëdha dhe për të identifikuar më shpejt problemet e mundshme në furnizimin me ushqime.
Sipas Komisionit Europian, ky sistem do të ndihmojë në përmirësimin e vlerësimeve të rrezikut për sigurinë ushqimore, identifikimin e shpejtë të lidhjeve midis prodhuesve, shpërndarësve dhe tregtarëve, si edhe monitorimin e zinxhirit të furnizimit për të mundësuar tërheqjen e shpejtë të produkteve të pasigurta nga tregu.
Autoritetet europiane theksojnë se teknologjia e re mund të forcojë luftën kundër mashtrimit ushqimor dhe produkteve të rrezikshme, duke e bërë më të lehtë për inspektorët të analizojnë sasi të mëdha informacioni nga tregu./kb
