Last Updated on 11/03/2026 by Anisa
Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj reagoi publikisht pas deklaratave të bëra nga kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste paraditen e së hënës.
Në reagimin e tij, Ahmetaj shprehet se Rama, në përpjekje për të justifikuar qëndrimet e tij, gjeti kohë të flasë edhe për rastin e tij personal, duke pretenduar se në këtë çështje ka “1001 të zeza”. Sipas ish-zëvendëskryeministrit, kjo deklaratë vjen në një kohë kur çështja ende nuk ka filluar të gjykohet dhe hetimet sapo janë mbyllur.
Ahmetaj i referohet edhe deklaratës së Ramës, i cili tha:
“Në kujtesën time, që prej reformës në drejtësi, ne kemi votuar për dy arreste. Njëri për shkelje të përsëritur të vendimit të Gjykatës, pra një votim automatik pa nevojë për ndonjë diskutim. Tjetri për plot të zeza: korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie, gjëra që na krijuan bindjen se kërkesa e prokurorit ishte e përligjur. Në këtë rast s’kemi asgjë nga këto.”
Ahmetaj thekson se një deklaratë e tillë publike për një çështje që i takon drejtësisë përbën, sipas tij, shkelje të hapur të parimit themelor të prezumimit të pafajësisë. Ai e konsideron paradoksale faktin që, sipas tij, kryeministri jep leksione për këtë parim, ndërkohë që nuk heziton ta shkelë publikisht sa herë që i intereson politikisht.
Sipas Ahmetajt, prezumimi i pafajësisë është një e drejtë themelore e garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, nga kartat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe nga legjislacioni në fuqi.
Në fund të reagimit të tij, ai thekson se liria e shprehjes për këdo, përfshirë edhe kryeministrin, nuk mund të përdoret për të cenuar prezumimin e pafajësisë dhe as për të ushtruar presion apo ndikim mbi vendimmarrjen e organeve të drejtësisë./fjala.al-A.D
Reagimi i plotë i Ahmetajt:
