Last Updated on 12/03/2026 by Anisa
Në fokus të debatit në emisionin “Trialog” në RTSH ishte qëndrimi i Partisë Socialiste në Kuvend për çështjen e Belinda Ballukut dhe raporti i ri mes qeverisë dhe Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Analisti politik Preç Zogaj tha se vendimi i mazhorancës është i qartë dhe vota e socialistëve nuk ka surpriza. Sipas tij, kryeministri Edi Rama ka bërë një llogari të kujdesshme politike mbi kostot që sjell ky vendim në sytë e partnerëve ndërkombëtarë.
Vota si “provë e së vërtetës”
Zogaj theksoi se refuzimi për të hequr imunitetin e Ballukut ishte i paralajmëruar dhe shënon një kthesë të strategjisë së mazhorancës.
“Vota e paralajmëruar është ‘jo’. PS ka propozuar një përballje me SPAK. Shumica tani po vihen në provë për t’u shprehur me votë. Kjo është prova e së vërtetës,” tha Zogaj.
Reagimi ndërkombëtar dhe roli i qeverisë
Analisti vuri në dukje se partnerët perëndimorë, që kanë mbështetur reformën në drejtësi, nuk e kanë pritur mirë këtë qëndrim. Ai shtoi se tashmë qeveria duket qartë si palë përballë pushtetit të drejtësisë.
“Kur qeveria qëndron përballë pushtetit të drejtësisë, tani qartazi qëndron si palë,” u shpreh Zogaj.
Megjithatë, ai sqaroi se vendimi i Parlamentit nuk ndalon hetimet:
“Hetimi nuk ndalon. SPAK nuk është bllokuar; ata thjesht kuptuan se ekzekutivi është përballë tyre si palë, jo si mbështetje.”
Zogaj përfundoi duke nënvizuar se puna e prokurorëve të posaçëm do të vazhdojë e pandikuar, megjithë përplasjen politike.
