Ka rregulla dhe liderët botërorë duhet të këmbëngulin që ato të respektohen si në praktikë, ashtu edhe në frymë. Pas kësaj mizorie në Iran, është thelbësore krijimi i një gjykate më efektive për krimet kundër fëmijëve.
Gordon Borwn*
Vrasja e raportuar e 168 personave, kryesisht nxënëse, në bombardimin e shkollës Shajareh Tayyebeh në Minab të Iranit, ka tronditur deri në themel ndërgjegjen e botës.
Sulmi, i kryer gati dy javë më parë ndërsa zhvilloheshin mësimet, e shndërroi ndërtesën e shkollës në një grumbull rrënojash. Prindërit që kishin dërguar vajzat e tyre në shkollë zbuluan disa minuta më vonë se klasat ishin kthyer në varre masive.
Një nënë, vajza e së cilës, Zeinab, kishte mësuar përmendësh Kuranin dhe pritej të merrte pjesë në një konkurs kombëtar recitimi, qau ndërsa tha: “Ëndrra ime vdiq bashkë me të.” Një panel i OKB-së për të drejtat e njeriut ka kërkuar tashmë që vrasjet të “hetohen urgjentisht, në mënyrë të pavarur dhe efektive, dhe të ketë përgjegjësi për çdo shkelje”.
Cili vend është përgjegjës për masakrën është ende në diskutim. Gjatë fundjavës, Donald Trump mohoi çdo përgjegjësi nga ana e SHBA-së. “Ne mendojmë se është bërë nga Irani, sepse ata janë shumë të pasaktë me municionet e tyre”, tha ai në bordin e avionit presidencial Air Force One.
Por të hënën, një hetim i BBC-së prodhoi prova për disa raketa amerikane Tomahawk të lëshuara dhe që ranë në afërsi të shkollës, duke goditur – sipas tyre – vetë shkollën, si edhe një klinikë mjekësore që thuhet se i përkiste Gardës Revolucionare Islamike (IRGC). BBC nuk gjeti asnjë provë për një raketë të veçantë të lëshuar nga Irani që të ketë rënë në atë vend. Pavarësisht kësaj, Trump këmbënguli duke thënë: “Shumë vende të tjera kanë Tomahawk. I blejnë nga ne.” Por sipas raporteve paraprake dhe ende jozyrtare të publikuara të mërkurën, Komanda Qendrore e SHBA-së mund të ketë krijuar koordinatat e objektivit për sulmin duke u bazuar në informacion të vjetruar.
Cilido qoftë përgjegjësi përfundimtar, masakra në shkollë nuk është një ngjarje e izoluar. Raportohet se po atë ditë, bombardimi i një tjetër shkolle, gjimnazit Hedayat në distriktin Narmak të Teheranit, la të vdekur dy nxënës.
Asnjë fëmijë nuk duhet të bëhet kurrë “dëm anësor” në një konflikt. Megjithatë, dimë se më shumë se 200 fëmijë janë vrarë nga forcat e sigurisë iraniane gjatë goditjeve të fundit ndaj protestave. Dhe jo vetëm kaq: sipas një studimi të Universitetit të Kembrixhit, 740 mijë nxënës palestinezë janë privuar nga e drejta për arsim në Gaza dhe në Bregun Perëndimor; 90% e shkollave në Gaza janë shkatërruar ose dëmtuar dhe të paktën 18.069 nxënës dhe 780 mësues kanë humbur jetën. Ndërkohë, UNICEF raporton se që nga 2 marsi, të paktën 83 fëmijë të tjerë janë vrarë në Liban.
Bombardimi i shkollës tregon se sa e brishtë bëhet korniza mbrojtëse e së drejtës ndërkombëtare kur përballet me rivalitetet e fuqive të mëdha dhe me aktet terroriste. Shkollat, të cilat duhet të jenë strehë të sigurta, po tërhiqen gjithnjë e më shumë në luftë, ku nxënësit dhe mësuesit bëhen shënjestra të lehta dhe të pambrojtura. Sipas Koalicionit Global për Mbrojtjen e Arsimit nga Sulmet, më shumë se 10 mijë nxënës dhe edukatorë u vranë ose u dëmtuan nga sulmet ndaj institucioneve arsimore vetëm gjatë viteve 2022 dhe 2023. Tendenca në rritje për të zhvilluar luftëra në zona të banuara do të thotë se sot është pothuajse po aq e rrezikshme të jesh fëmijë në rrugë apo në shkollë, sa të jesh ushtar në vijën e frontit.
Konventat e Gjenevës, e drejta ndërkombëtare humanitare dhe Konventa e vitit 1989 për të Drejtat e Fëmijës ndalojnë qartësisht sulmet ndaj fëmijëve dhe shkollave. Sulmet ndaj ndërtesave arsimore janë krime lufte të përfshira në nenin 8 të Statutit të Romës, që themeloi Gjykatën Penale Ndërkombëtare (ICC). Urdhër-arrestet dhe ndjekja penale duhet të rëndojnë mbi liderët që urdhërojnë, autorizojnë ose lejojnë me vetëdije sulme të tilla. Një precedent për këtë është urdhër-arresti i lëshuar nga ICC kundër Joseph Kony, udhëheqës i Ushtrisë së Rezistencës së Zotit, ku përmendeshin edhe sulmet e tij ndaj shkollave në Ugandë.
Edhe pse shkollat – ashtu si spitalet – duhet të konsiderohen vende të mbrojtura, në praktikë ato trajtohen shpesh si pjesë e infrastrukturës civile. Kjo ka minuar një parim të thjeshtë: shkollat ekzistojnë për të mësuar dhe nuk duhet të kthehen kurrë në teatro lufte apo baza operacionesh ushtarake. Asnjë fëmijë nuk duhet të vdesë sepse po përpiqet të mësojë, dhe ata që sulmojnë djem e vajza të pafajshme duhet të përballen me të njëjtin nivel përgjegjësie gjyqësore si ata që kryejnë krime të tjera kundër njerëzimit. Po ashtu, kur ushtritë pushtojnë klasat, ruajnë municion në palestra apo lëshojnë raketa nga oborret e shkollave, ato fshijnë dallimin mes luftëtarit dhe civilit – një parim themelor i së drejtës humanitare – dhe duhet të ndiqen penalisht.
Nuk mund të qëndrojmë duarkryq ndërsa një tjetër ligj i vendosur ndërkombëtar që rregullon sjelljen në luftë shkelet, me sa duket pa pasoja. Tani është koha që çdo palë ndërluftuese të paralajmërohet qartë: shkollat meritojnë të njëjtin status moral si spitalet – vende të mbrojtura – dhe të njëjtën mbrojtje nga ligji ndërkombëtar.
Po aq e rëndësishme është të ekspozohen vendet që përdorin dy justifikime për t’i shpëtuar përgjegjësisë: së pari duke mohuar se sulmi ishte “i qëllimshëm” apo “i qëlluar me dashje”, dhe së dyti duke pretenduar se shkolla po përdorej për qëllime ushtarake. Janë pikërisht këto përjashtime që u kanë lejuar shumë autorëve të sulmeve ndaj fëmijëve të pretendojnë një mbrojtje që ende njihet nga e drejta ndërkombëtare. Por sipas çdo interpretimi të arsyeshëm të së drejtës humanitare, ata që sulmojnë një shkollë po dështojnë qartazi në përgjegjësinë e tyre ligjore për të shmangur çdo rrezik të njohur për fëmijët dhe për t’i mbrojtur ata si civilë të pafajshëm.
Forcimi i mbrojtjes së fëmijëve duhet të nisë me zbatimin nga të gjitha vendet të rezolutës 1612 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 2005, e cila krijoi mekanizmin e monitorimit dhe raportimit për fëmijët e përfshirë në konflikte të armatosura. Kjo rezolutë u mbështet në punën historike të Graça Machel, e cila identifikoi gjashtë “shkelje të rënda” të të drejtave të fëmijëve, që përfshijnë jo vetëm rekrutimin e detyruar të fëmijëve ushtarë dhe rrëmbimin e vajzave, por edhe sulmet ndaj shkollave.
“Udhëzimet e Lucensit” dhe Deklarata për Shkollat e Sigurta, që u ndërtuan mbi këto parime, paralajmëruan se vendet duhet të mbajnë forcat ushtarake larg institucioneve arsimore. Por bota ka nevojë tani për mekanizma më të fortë për të siguruar përgjegjësi. Një mundësi që do të theksonte seriozitetin e këtyre krimeve do të ishte krijimi i një gjykate penale ndërkombëtare të posaçme për krimet kundër fëmijëve. Një institucion i tillë do të plotësonte juridiksionin e ICC-së, duke u përqendruar në bombardimin e shkollave, rrëmbimin e nxënësve dhe milicitë që skllavërojnë djem e vajza. Paralelisht, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe sisteme të tjera gjyqësore mund të miratonin protokolle të posaçme për ndjekjen penale të sulmeve ndaj institucioneve arsimore.
Mbajtja e shkollave të hapura dhe të sigurta në mes të luftës do të thotë diçka më shumë sesa orët që fëmijët kalojnë në klasë; është premtimi për diçka përtej rrënojave. Për fëmijët, klasat përfaqësojnë stabilitet; për prindërit, ato janë një shenjë se jeta, sado e brishtë, do të vazhdojë. Edhe në orët më të errëta të një konflikti, vazhdimi i arsimit të fëmijëve do të thotë të mbash gjallë shpresën mes shkatërrimit. Dhe kur një shkollë arrin të rihapet pas një sulmi, ajo bëhet një akt i dukshëm sfide kundër atyre që duan t’i zhysin komunitetet e shkatërruara nga lufta në dëshpërim të pafund.
Por çfarëdo tjetër që të bëjmë, duhet të dërgojmë një mesazh të qartë: pavarësisht se ku veprojnë apo nën urdhrat e kujt janë, nuk do të ketë vend ku të fshihen liderët që lejojnë sulme ndaj fëmijëve.
*Gordon Brown është i dërguari special i OKB-së për arsimin global dhe ka qenë kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar nga viti 2007 deri në vitin 2010/ Përgatiti për botim: L.Veizi
