Presidenti i Libanit, Joseph Aoun, deklaroi se nuk ka marrë asnjë përgjigje nga Izraeli ndaj propozimit të tij për negociata të drejtpërdrejta, në mes të përshkallëzimit të konfliktit me grupin militant Hezbollah.
“Kam shprehur gatishmërinë time për të negociuar, por deri tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga pala tjetër”, tha Aoun në një deklaratë pas takimit në Bejrut me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, António Guterres.
Presidenti libanez kritikoi gjithashtu “agresionet izraelite”, duke theksuar se ato “duhet të ndalen”.
Në deklaratat e mëparshme, Aoun e ka cilësuar Hezbollahun si një “fraksion të armatosur” që, sipas tij, “nuk i jep rëndësi interesave të Libanit apo jetës së qytetarëve të tij”.
Nga ana tjetër, Izraeli argumenton se qeveria në Bejrut nuk ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për çarmatimin e Hezbollahut, duke e konsideruar këtë përgjegjësi të autoriteteve libaneze sipas një marrëveshjeje të mëparshme armëpushimi./mxh
