Sulmet e reja me dronë ukrainas ndaj rafinerive ruse të naftës, të ndodhura që nga fundi i tetorit, kanë ulur kapacitetin e përpunimit të naftës në Rusi me rreth 30%, bënë të ditur dy burime nga industria për Reuters.
Ukraina i ka intensifikuar goditjet ndaj rafinerive ruse që nga fundi i tetorit, pasi dështoi armëpushimi, i shpallur nga presidenti amerikan Donald Trump mes Kievit dhe Moskës, që synonte ndalimin e sulmeve ndaj objekteve energjetike.
Sipas burimeve nga industria dhe zyrtarëve, gjatë javës së fundit, sulmet ukrainase kanë ndërprerë operacionet dhe kanë shkaktuar situata emergjente në nëntë nga 35 rafineritë kryesore të Rusisë.
Kapaciteti i përbashkët ditor i rafinerive ruse të goditura nga dronët që nga fundi i tetorit, përfshirë tri impiante të mëdha në Rusinë qendrore, arrin në rreth 300,000 tonë metrikë (ose 2.2 milionë fuçi). Kjo shifër duhet parë në raport me kapacitetin total parësor të përpunimit të naftës në Rusi, i cili është rreth 930,000 tonë në ditë.
Në fund të tetorit, rafineritë ruse përpunonin rreth 700,000 tonë (ose 5 milionë fuçi) naftë bruto në ditë, sipas të njëjtave burime.
Burimet për Reuters vlerësojnë se ulja reale e përpunimit të naftës bruto në rafineritë ruse mund të arrijë deri në 200,000 tonë në ditë.
Ndër impiantet e prekura përfshihen rafineritë në Rjazan, Jarosllavë dhe në rajonin e Vollgës.
Guvernatori i rajonit të Leningradit njoftoi se, të hënën, një dron ukrainas goditi rafinerinë e naftës në Kirishi, e dyta më e madhe në Rusi, duke shkaktuar një zjarr. Ai shtoi se, si pasojë e sulmit, një grua humbi jetën.
Në një artikull të botuar të martën në gazetën ruse “Kommersant”, Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, deklaroi se Ukraina po i shpërfill thirrjet e Trumpit për të ndaluar sulmet ndaj objekteve energjetike ruse. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha javën e kaluar se Kievi po vazhdonte të ndërmerrte sulme ndaj objektivave që lidhen me sektorin rus të naftës, si përgjigje ndaj sulmeve ruse mbi objektiva të energjisë./ad
