Barazimi 1-1 mes Interit dhe Atalantës ka krijuar tension në kampin zikaltër pas disa episodeve të diskutueshme në fund të ndeshjes.
Presidenti Giuseppe Marotta zbriti menjëherë në dhomat e zhveshjes dhe kërkoi shpjegime nga arbitrat për golin e Atalantës dhe për penalltinë e pretenduar ndaj Davide Frattesi.
Në këtë takim ishin të pranishëm edhe Andrea De Marko, koordinatori federal për marrëdhëniet mes arbitrave dhe klubeve, si dhe vëzhguesi Andrea Gervasoni.
Takimi zgjati rreth 30 minuta dhe u zhvillua fillimisht mes drejtuesve të Interit dhe trupës së arbitrave. Pas diskutimeve, klubi vendosi të mbajë heshtje publike për të mos rritur më tej tensionin.
Marotta dhe trajneri Cristian Chivu u larguan nga stadiumi rreth orës 19:00, më shumë se dy orë pas përfundimit të ndeshjes.
Gjatë kësaj kohe drejtuesit, përfshirë Piero Ausilio, Dario Baccin dhe Riccardo Ferri, qëndruan në dhomat e zhveshjes për të diskutuar situatën.
Një situatë e ngjashme kishte ndodhur edhe pas ndeshjes ndaj Napolit, por këtë herë drejtuesit zgjodhën të mos reagojnë publikisht./mxh
